Në qytetin amerikan të Baltimores në shtetin Maryland, ura Francis Scott Key u shemb në lumë pasi një anije mallrash e goditi atë, e cila më pas mori flakë.
Në urë kishte makina, të cilat pas shembjes së urës përfunduan në lumë. Për momentin nuk dihet nëse ka viktima dhe/ose të lënduar, por raportohet se të paktën 20 punëtorë kanë rënë në lumë. Temperatura e ujit në portin Baltimore është midis 9 dhe 10 gradë Celsius.
Në X janë publikuar pamje të reja të momentit kur anija godet urën.
Temperaturat e ftohta të ujit dhe dukshmëria e kufizuar në vendin e shembjes së urës Francis Scott Key në Baltimore po shkaktojnë shqetësim të madh për ekipet e shpëtimit teksa po kërkojnë për të paktën 20 persona që besohet se kanë rënë në lumë.
Kevin Cartëright i Departamentit të Zjarrfikësve në Baltimore tha për CNN se ata po bashkëpunojnë me Rojet Bregdetare të SHBA-së dhe se një ekip zhytësish është në lumë në kërkim të të mbijetuarve.
“Kjo ndodhi në orën 01:30 të mëngjesit me shikueshmëri të kufizuar, kështu që ne po punojmë në mënyrë shumë agresive, duke marrë parasysh temperaturën e ambientit si dhe temperaturën e ujit për t’u përpjekur të shpëtojmë dhe ndoshta të nxjerrim njerëzit jashtë,” tha Cartëright.
“Temperaturat e ulëta nuk janë rrezik vetëm për njerëzit që kanë rënë në lumë, por edhe për zhytësit tanë”, shtoi ai. Cartëright tha se ekipet po punonin “metodikisht dhe në mënyrë të sigurt” për të siguruar që “të gjithë që punojnë këtu në vendngjarje janë të sigurt dhe ne mund të ecim përpara pa dëmtuar askënd tjetër”.
Kompania e transportit Synergy Marine Group konfirmoi se anija e saj me flamur Singapori, Dali, kishte goditur një skelë në urën Francis Scott Key në Baltimore.
“Edhe pse shkaku i saktë i incidentit ende nuk është përcaktuar, ne mund të konfirmojmë se të gjithë anëtarët e ekuipazhit janë të sigurt dhe nuk ka raportime për lëndime”, thuhet në deklaratë.
Comments are closed for this post.