Blerim Ramadani nga Kosova, ish-luftëtari i UÇK-së, të cilin e kërkon Republika e Serbisë për ekstradim, sot është arratisur nga burgu shtëpiak prej shtëpisë së familjarëve në Maqedoni, transmeton SDK, përcjell Nistori.

Ai ishte arrestuar në bazë të fletëarrestit të lëshuar nga Serbia për krime lufte në Kosovë para çerekshekulli.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Pajazit Pajaziti nga Gjykata Penale në Shkup, e kishte zhvendosur Ramadanin nga paraburgimi në burg shtëpiak në adresën e familjarëve/shokëve të Ramadanit.

Pas ankesës së Prokurorisë, sot tre gjyqtarë nga Këshilli Penal kanë vendosur masën e paraburgimit efektiv për 30 ditë për shkak rrezikut për arratisje. Dikush nga Këshilli Penal e ka njoftuar Ramadanin se do të kthehet në burgun e Shutkës, dhe ky ka ikur.

Më 9 gusht, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka njoftuar se Paneli i Gjykatës Themelore Penale në Shkup ka marrë vendim për mosekstradimin e shtetasit të Kosovës, Blerim Ramadani.