Më shumë se 800.000 kërkesa për azil janë dorëzuar në Bashkimin Evropian, Norvegji dhe Zvicër gjatë këtij viti deri në tetor. Krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve të kaluara, ky është numri më i madh që prej vitit 2016, bën të ditur gazeta gjermane “Velt” në edicionin e sotëm duke cituar shifra nga Agjencia për azil në BE.

Sipas numrave, që nga fillimi i vitit prej 3 tetor në 29 shtete janë dorëzuar saktë 801.459 kërkesa për azil. Rritja më e madhe u regjistrua në Letoni deri në 168 për qind dhe Estoni 119 për qind. Kjo shpjegohet me rritjen e fuqishme të migrimit të parregullt nga Bjellorusia.

Gjermania gjendet në vendin e tretë me 74 për qind rritje të numrit të aplikimeve në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Rënie më e madhe është regjistruar në Danimarkë, rënie deri në 56 për qind, Malta 54 për qind,  Qipro me rënie deri në 52 për qind dhe Austri me rënie 41 për qind. Vend me më së paku kërkesa për azil është Hungaria me vetëm 26 kërkesa.