Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski thotë se janë spekulime informacionet për largimin e tij nga funksioni i ministrit dhe për rikonstruimin e kabinetit qeveritar.

“Unë mendoj se këto janë spekulime, sepse edhe Qeveria edhe LSDM-ja kanë pasur qëndrim për këtë çështje. Atë që e kemi dëgjuar dhe e kemi parë, ja ku ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski, ka dhënë dorëheqje, kemi dëgjuar se zëvendës i tij do të ishte Risto Penov, politikan me përvojë dhe ish-kryetar komune, besoj se me përvojën e tij do ta ndihmojë punën e Qeveria. Për pjesën tjetër, mendoj se janë në nivel spekulimi”, tha Boçvarski për “TV 24”, i pyetur nëse do të ketë rindërtim të Qeverisë dhe nëse do të largohet nga funksioni.

Boçvarski ndër të tjera porositi se planet urbanistike duhet të respektohen dhe gjelbërimi të mos shkatërrohet.

Për propozim ligjin për legalizimin e objekteve pa leje, i cili është dorëzuar në Kuvend, ai tha se është legjitim dhe nuk duhet miratuar nëse nuk ka interes nga Kuvendi, por që kategoritë e rrezikuara të qytetarëve të cilët kanë ndërtuar një shtëpi duhet ndihmuar. Ai tregon se nga teksti i ligjit janë hequr të gjitha përmbajtjet që shkaktuan reagime publike.