400 mijë euro për secilin lojtar nëse Gjermania shpallet kampione e botës, DFB publikon shifrat e premive për “Botërorin 2022”
Federata Gjermane e Futbollit (DFB) njoftoi këtë të diel se çdo lojtar do të marrë 400 mijë euro, nëse Kombëtarja e Gjermanisë triumfon në Kampionatin Botëror “Katar 2022”.
Federata gjermane bëri të ditur se ka kontaktuar me futbollistët e Kombëtares A lidhur me skemën e premive për Botërorin e këtij viti, shkruan Gazeta Express.
Pas takimit mes drejtuesve të DFB-së dhe futbollistëve që përfaqësuan ekipin kombëtar; Manuel Neuer, Thomas Muller, Joshua Kimmich dhe Ilkay Gundogan, presidenti i shtëpisë gjermane të futbollit, Bernd Neuendorf, u shpreh:
“Ne patëm bisedime intensive në një atmosferë të mirë dhe konstruktive. Në fund, arritëm një zgjidhje të pranueshme për të gjithë të përfshirët”.
Bonuset do të paguhen në bazë të performancës. Çdo lojtar do të marrë 50 mijë euro si premi, nëse Gjermania e kalon grupin – kurse 100 mijë euro është premia për arritjen në çerekfinale dhe 150 mijë euro për arritjen deri në gjysmëfinale.
Nëse Gjermania përfundon si e treta në Kampionatin Botëror, lojtarët do të shpërblehen me nga 200 mijë euro. 250 mijë do t’u takojnë nëse dalin nënkampion.
Premia kryesore është 400 mijë euro, shumë e cila do t’i dhurohej çdo futbollisti, nëse Gjermania shpallet kampione e botës.
Kujtojmë se Kampionati Botëror “Katar 2022” do të zhvillohet nga 21 nëntori deri më 18 dhjetor.
Gjermani është shortuar në Grupin E, bashkë me Kosta Rikën, Japoninë dhe Spanjën.
Comments are closed for this post.