Bisedimet për çmimin e furnizimit të energjisë elektrike nga Bullgaria nuk kanë mbaruar. Nesër do të kemi një tjetër takim onlajn me homologun tim bullgar, por është shumë e rëndësishme të kontribuojmë në zgjidhjen e situatave të tilla në frymën e fqinjësisë së mirë dhe thellimit të bashkëpunimit midis fqinjëve, tha sot ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, pasi dje Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) njoftoi se Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nuk arritën një marrëveshje për çmimin e energjisë elektrike që prodhuesit bullgarë duhet ta eksportojnë në vend.
“Në bisedat që kam pasur me kryeministrin Kovaçevski, me presidentin Radev, me kryeministrin Donev dhe me homologun tim Hristov, shoh vullnet të mirë që të kemi një marrëveshje nga e cila do të përfitojnë të dyja vendet. Këtu bëhet fjalë për çështje teknike, po flasim për ballafaqim të përbashkët të krizës energjetike, veçanërisht në pjesën e sezonit të ngrohjes dhe politikbërja është lënë anash”, tha Bekteshi, duke shprehur besimin se do të arrihet një marrëveshje me Bullgarinë.
Ai tha se dje në media dolën disa tituj lidhur me këtë çështje, të cilat sipas tij janë të pavërteta.
“Maqedonia e Veriut dhe unë, si negociator, dhe të tjerët, natyrisht, nuk kemi kërkuar kurrë të paguajmë energjinë elektrike me çmimin e bursës për shkak të asaj që kemi tani. Tashmë kemi një marrëveshje me Greqinë, me Bullgarinë, me Serbinë dhe me Kosovën që nuk do të ketë ndalesë në hapësirën e kapaciteteve kufitare, që do të thotë se bursat janë të hapura, dhe spekulime të tilla për faktin se do të ketë një ulje prej 15, 20, 30 për qind e çmimit të bursës janë të pavërteta. Kam folur me Odën Ekonomike, ne i dimë pritshmëritë e tyre dhe negociatat i bëjmë sipas pritshmërive të kompanive që janë në tregun e lirë, si në sasi ashtu edhe në çmim. Sa i përket asaj se çka është problemi dhe pse deri tani nuk kemi marrëveshje me Bullgarinë, tashmë janë paralajmëruar disa masa nga Komisioni Evropian, të cilat duhet të zbatohen nga Bullgaria si anëtare e BE-së. Presim që masat të harmonizohen plotësisht me Komisionin Evropian, në mënyrë që marrëveshja jonë e mundshme të mos bie ndesh me masa të tilla”, tha Bekteshi.
Ai i tha opozitës që të mos luajë me shifra sepse, siç theksoi, po negociojnë shtet me shtet, për të mos ndërhyrë në negociata për faktin se Komisioni Evropian tashmë ka paralajmëruar se mund të ketë ngrirje të çmimit të rrymës prej 180 euro dhe ata dalin me shifra prej 400 euro.
“Kush do të nënshkruante një marrëveshje nga ana e Qeverisë kur vetë Komisioni Evropian mund të marrë vendim për ngrirjen e çmimit të energjisë elektrike nga 180 euro. Jo për të krijuar panik në shoqëri, as për të dhënë informacione të gabuara. Çmimet që kërkojmë dhe ato që i janë komunikuar publikut janë shumë më të ulëta. Nëse vendoset që të mos ketë çmim më të lartë se 180 euro në periudhën e ardhshme në sektorin e energjisë elektrike brenda BE-së, si mund të jetë çmimi 400 euro për të cilin mund të negociojmë. Është përtej logjikës. Ka pasur njoftime të tilla javën e kaluar, ka pasur propozime të tilla nga Von der Lajen dhe sigurisht që ne po i ndjekim ato zhvillime dhe do të jemi pjesë e atyre masave që do të marrë Komisioni Evropian. Është shumë e rëndësishme të theksohet, dhe përveç kësaj, ne i dimë pritshmëritë e ekonomisë sonë, e cila është në treg të lirë”, tha Bekteshi.
Comments are closed for this post.