Kastrim i obliguar të qenëve shtëpiak dhe rritje të dënimeve nga 100 në 700 euro, parasheh ndryshimi më i ri në ligjin për mbrojtje të kafshëve, që sot do të shqyrtohet në seancë në Kuvend, transmeton Zhurnal.
Ndryshimet janë propozuar nga deputetët: Maja Moroçanin, Liljana Popovska, Nikica Korubin, Irena Stefoska, Ivana Tufegxhiç, Mileva Gjorgieva, Shpresa Hadri, Mirsada Emini Asani, Snezhana Kaleska Vançeva. Siç thuhet në sqarim, ndryshimet propozohen me qëllim të parandalohet rritja e pakontrolluar e qenëve endacak, të cilët në numër të madh rrjedhin nga shumimi i qenëve shtëpiak.
Në nenin 27 të ligjit aktual propozohet të shtohet edhe një nen tjetër i cili thotë:
“Pronarët e qenëve në periudhë reproduktive janë të obliguar ti kastrojnë qenët e tyre në shtëpitë nga alinea 1 i këtij ligji, përpos atyre pronarëve që kanë të regjistruar kujdestarë të qenëve. Harxhimet për këto procedura u përkasin pronarëve të qenëve”.
Ndryshimet në ligj parashohin edhe rritje të dënimeve nga 100 deri në 700 euro nëse pronarët e qenëve nuk i dërgojnë ato një herë në vit në ambulantat veterinarike, klinika dhe spitale të autorizuara për zbatimin e mbrojtjes shëndetësore veterinarike. Pronarët edhe tani janë të obliguar të regjistrojnë dhe paraqesin qentë me harxhim të tyre, por gjoba për mosrespektim të këtij obligime deri tani ishte vetëm 100 euro.
700 euro do të paguajnë edhe ata pronarë që nuk do të vendosin tabelë në hyrje të shtëpisë për prezencë të qenëve, apo ata që nuk do ta lidhin qenin në vend publik.
Comments are closed for this post.