Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dje në Sofje kërkoi nga Bullgaria të ndihmojë në zbatimin e vendimit të Këshillit Evropian për fillimin e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Këshilli Evropian ka vendosur të fillojë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në vitin 2020”, tha Von der Leyen në një konferencë të përbashkët shtypi pas takimit me kryeministrin bullgar Kiril Petkov.
Von der Leyen theksoi rëndësinë që shtetet anëtare të BE-së “përmbushin premtimin e tyre ndaj fqinjëve të tyre në këto kohë të vështira.
Ajo tha se “asgjë nuk do të jetë si para luftës në Ukrainë”, se premtimi ndaj partnerëve të vitit 2020 duhet të përmbushet dhe se ajo ka besim tek Bullgaria që ta udhëheqë procesin me mjeshtëri.
Von der Leyen tha se të drejtat e pakicave janë në thelb të traktateve dhe vlerave evropiane dhe se mbrojtja e tyre është një vlerë thelbësore që është në qendër të vëmendjes.
Në fillim të prillit, kryeministri bullgar Petkov dhe ai i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski vlerësuan se është bërë përparim i dukshëm në negociatat për mosmarrëveshjen ndërmjet dy vendeve, për shkak të të cilit Sofja bllokoi fillimin e negociatave të Shkupit për anëtarësim në BE.
Comments are closed for this post.