Nuk dihet se sa para shtetit i ka kushtuar procesi i imunizimit të popullsisë. Ministria e Shëndetësisë thotë se ky informacion është i mbrojtur dhe nuk mund të publikohet. Për momentin vendi disponon me 440.000 vaksina Pfizer kundër Kovid19 si dhe 250.000 të tjera të siguruara nga mekanizmi Kovaks si ndihmë nga Italia. Ka dhe sasi të caktuara të vaksinave nga prodhuesi Sinofarm dhe Sinovac të cilat kryesisht përdoren për dozën e dytë, shkruan Alsat.

Pavarësisht se vaksinat nuk mungojnë, ka mjaftueshëm, interesimi i qytetarëve për imunizim mbetet shumë i ulët. Edhe përkundër paralajmërimeve të shumta, Ministria e Shëndetësisë nuk ka organizuar fushatë më të gjerë për rritjen e imunizimit. Mikrobiologu Nikolla Panovski kritikon autoritetet për mos ndërmarrjen e hapave intensive për rritjen e numrit të qytetarëve të vaksinuar.

“Kur nuk kishte vaksina qytetarët tanë shkonin nëpër shtete fqinje për tu vaksinuar, prisnin radhë me kilometra për në Serbi ndërsa tani kemi tepricë dhe s’dimë çka të ju bëjmë madje duhet të paguajmë për asgjësimin e tyre. Kjo ndodh pasi 6-7 muaj nuk ka fushatë sensibilizimi. 2:30 Si e para, të rinjtë veçanërisht me ardhjen e Omikronit mendonin se nuk ka nevojë të vaksinohen sepse është e rrallë që një i ri veçanërisht nën 20 vjeç të ndërroje jetë nga ky variant. Ndërsa tek të moshuarit ka hyrë një frikë dhe mos besim te institucionet dhe më shumë frikësohen nga vaksina se sa nga sëmundja Kovid19”, tha Nikolla Panovski, Mikrobiolog

Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë arsyetohet duke thënë se po bën mjaftueshëm dhe se vaksina është mbrojtja më e mirë nga virusi.

“Ministria e Shëndetësisë në vazhdimësi zbaton aktivitete promovuese dhe fushata për të prekur numër sa më të madh të qytetarëve me qëllim që t’ua shpjegojmë përfitimet nga vaksinimi. Në bazë të rekomandimeve të ekspertëve, vaksinimi mbetet mbrojtja më e mirë nga Kovid19 në veçanti nga shtrirja në spital dhe vdekja”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë

Deri më tani me dy doza është vaksinuar rreth 41% e popullatës vendore, ndërsa për tu arritur imuniteti kolektiv e nevojshme është vaksinimi i 80-90% e qytetarëve.