Gjendja në Arsim ishte kryefjala e debatit të sotëm për Propozim buxhetin e vitit 2022, shkruan Alsat. Deputetët e pushtetit dhe opozitës shkëmbyen një sërë ofendimesh dhe akuzash, se kush bëri më shumë për nxënësit dhe kush e prishi të gjithë arsimin.
“Ajo që ka bërë VMRO DPMNE në fushën e arsimit, as që mund ta thoni. Me ribalancin e parë ato financa që përmendni se do të jenë për ndërtimin e shkollave, për ndërtimin e sallave sportive, ato financa do t’ju shkurtohen”, deklaroi Beti Stamenkovska Trajkoska, VMRO DPMNE.
“Nëse të paktën do të kishit bërë diçka, nuk do të kishte nevojë për rindërtimin e kaq shumë shkollave, të kaq shkollave fillore, rindërtimin e shtëpive. Ju i latë konviktet me pesë milionë borxhe. Euro, jo denarë”, tha Zhaklina Llazarevska, LSDM.
Investimet e parealizuara, programet e dështuara apo sundimi i korrupsionit, deputetët nuk zgjodhën fjalë nga foltorja e Kuvendit.
“Vërtet kërkoja një fjalë që do të ishte e përshtatshme, për një -do të thosha marrëzi tjetër që u tha, por nuk e gjeta, sepse nuk përputhej realisht me asgjë, që u tha nga kolegia. Do ta përsëris, publiku le të gjykojë nëse ka fjalë tjetër dhe le të më korrigjojë, por të thuash se progres për vendin tënd është të jesh vendi i gjashtë më i varfër në Evropë, dhe se edhe kjo është përmirësuar nga qeveria e Zaevit”, tha Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.
“Qytetarët jetojnë pak më mirë tani, jo shumë më mirë, dhe ndoshta nëse nuk do t’i kishit vjedhur aq pa mëshirë, standardi i jetesës së qytetarëve do të ishte shumë më i mirë”, u shpreh Zhaklina Llazarevska, LSDM.
Për pushtetin propozim buxheti është hartuar për të mirën e qytetarëve. Opozita beson se nuk do të realizohen as gjysma e projekteve kapitale të destinuara për qytetarët, por lajmërohen vetëm ide të vjetra që rregullisht dështojnë, dhe mjetet që janë paraparë për to kalojnë në projekte të tjera. Buxheti duhet të miratohet më së voni deri më 31 dhjetor. /Alsat.mk
Comments are closed for this post.