Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook ka kërkuar nga pushteti që të mos bëj presion dhe siç tha ai kërcënime ndaj familjarëve të viktimave nga tragjedia në spitalin modular të Tetovës, transmeton Alsat. Sela shkruan se “pushteti po tenton që me kërcënime dhe shantazhe të amnistoje veten nga përgjegjësia”.

“Ibin Emshiu, i riu që humbi babain dhe vëllaun në zjarr ka denoncuar se po e kërcënojnë që të mos flasë dhe të tregojë të vërtetën për kushtet dhe zjarrin në Spitalin Modular në Tetovë. Nga ana tjetër disa mjekë kanë denoncuar se u bëhet presion që të nënshkruajnë peticion në mbrojtje të njërit drejtor të spitalit të Tetovës, në stil të njëjtë si tentimi i drejtorëve të klinikave të Shkupit për të shpëtuar Filipçen. Ju bëj thirrje që urgjentisht të ndaloni presionet e këtilla, leni hetuesit të bëjnë detyrën e tyre pa ndërkëmbëza politike. Respektoni viktimat dhe familjet e tyre, si dhe stafin mjekësor që edhe ashtu e keni lënë të punojë në kushte mizore”, ka shkruar mes tjerash Sela.