Me ditën e 4 shtatorit me një dozë të vaksinës kundër Kovid-19 janë vaksinuar 44,6 për qind e popullatës mbi moshën 18 vjeçe. Gjithsej 54 për qind e qytetarëve mbi 40 vjeç kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës si dhe 29 për qind e qytetarëve në moshë prej 18 deri 39 vjeç.

Konform të dhënave të MSH-së, përfshirje më të madhe me një dozë të vaksinës ka Negotina 63,4 për qind, Kavadari 62,3 për qind dhe Ohri 61,4 për qind.

Kështu, vaksinimi po vazhdon në të gjitha pikat ekzistuese të vaksinimit në shtet, ku qytetarët mund të vaksinohen pa termin të caktuar. Nga Ministria thonë se procesi i vaksinimit me vizitë shtëpiake zhvillohet me interesim të shfaqur paraprakisht te pika më e afërt e vendit ku jetojnë.

Ministria e Shëndetësisë informoi se vaksina ka mjaftueshëm dhe bën thirrje për interesim dhe përfshirje në procesin e vaksinimit, veçanërisht popullatës më të re. Nga atje thonë se virusi nuk i përjashton të rinjtë, ndërsa për këtë tregojnë numrat e analizave të fundit.

Në pikat e vaksinimit në shtet dhe në teren, deri dje janë vaksinuar gjithsej 747.225 qytetarë. Dozën e parë dje e kanë marrë 3.621 qytetarë, ndërsa dje janë vaksinuar gjithsej 14.159 qytetarë. Në shtet gjithsej janë dhënë 1.332.658 doza të vaksinave, ndërsa janë rivaksinuar 579.358 qytetarë.

“Qytetarët pa termin të caktuar po vaksinohen, në pikat ekzistuese të vaksinimit përgjatë shtetit. Fëmijët prej 12 deri 18 vjet vaksinohen me lejen e prindit”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Vaksinat, thonë, janë të sigurta dhe efikase dhe janë mënyra e vetme të fitohet pandemia. Vetëm me vaksinim komplet, shtojnë, parandalohet forma e rëndë e sëmundjes, ulet mundësia për sëmundje, si dhe vdekja nga e njëjta.

Apel për imunizim dje ka dërguar edhe presidenti i vendit, Stevo Pendarovski. Ai konsideron se vaksinimi është faktori kryesor për dalje nga kriza dhe nuk guxon të lejohet dinamikë e ngadalësuar dhe shpërndarje e pabarabartë e vaksinave.

Në 24 orët e fundit nga 6.425 testet e bëra janë regjistruar 682 raste të reja me Kovid-19. Janë regjistruar 1.031 pacientë të shëruar, ndërsa kanë vdekur 32 pacientë.

Deri më tani, në vend janë bërë gjithsej 1.197.339 teste të Kovid-19. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me KOVID në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 180.919, numri i pacientëve të shëruar është 160.396, numri i vdekjeve është 6.129, dhe numri i rasteve aktive është 14.394.