Autoritetet shëndetësore të Maqedonisë konsiderojnë se deri në fund të verës në Maqedoni do të mund të arrihet përqindja e personave të imunizuar për të cilët mund të thuhet se ka imunitet kolektiv nga coronavirusi.
Sipas ministrit Venko Filipçe, deri në fund të verës mund të vaksinohen rreth 600 mijë qytetarë që është 50% nga popullata e planifikuar për vaksinim.
“Deri tani janë vaksinuar më pak se 300 mijë qytetarë, ndërsa është planifikuar që në periudhën e ardhshme të vaksinohen edhe 600 mijë. Konsideroj se deri në fund të verës do ta arrijmë përqindjen e të imunizuarve në mënyrë që mund të themi se kemi arritur imunitet kolektiv”, deklaroi Filipçe.
Sipas tij, ende nuk dihet se si do të ndikojnë mutacionet e coronavirusit, por përvojat e shteteve tjera, duke përfshirë këtu Edhe kinën, tregojnë se vaksinat janë faktor i rëndësishëm në luftën kundër pandemisë dhe se parandalojnë forma të rënda të sëmundjes.
Filipçe theksoi se deri në fund të këtij muaji pritet të mbërrijnë 500 mijë vaksina “Sinovac”, si dhe vaksina “Pfizer” nga ku do të mund të vaksinohen rreth 15-20 mijë qytetarë në ditë.
Ndryshe në Maqedoni deri tani janë vaksinuar 278 mijë qytetarë, ndërsa gjithsej janë aplikuar 482.058 vaksina, ndërsa deri tani janë rivaksinuar 203.856 qytetarë. Përmes ueb-faqes vaksinacija.mk 456.607 qytetarë kanë aplikuar për vaksinim.
Comments are closed for this post.