Pas uljes së dukshme të numrit të të infektuarve me COVID-19 në vend, puna e Spitalit të Fëmijëve në Kozle kthehet në normalitet. Në Institutin për Sëmundje të Mushkërive tek Fëmijët në Kozle, tani më një kohë nuk ka të shtruar asnjë fëmijë të infektuar me COVID-19. Për momentin 28 fëmijë janë të hospitalizuar për kurim me sëmundje respiratore, por që nuk janë të shkaktuara nga COVID-19.
“Në këtë periudhë më së shumti bëhet fjalë për fëmijë që kanë alergji sezonale dhe fëmijë me probleme me rrugët e epërme të frymëmarrjes. Rreth 60% e fëmijëve që vijnë janë me laringit. Ka mjaft fëmijë që kanë edhe pneumoni për shkak të ndryshimeve të motit dhe fëmijët tani pjesën më të madhe të kohës e kalojnë jashtë. Në princip pjesa më e madhe e tyre mbarojnë vetëm me kontroll në ambulanca, ku marrin terapinë. Nuk kemi fëmijë COVID pozitiv apo me simptoma pas Covid-19.”,- u shpreh drejtori i Spitalit të Fëmijëve “Kozle”, Besnik Zekiri.
Edhe pse në disa vende, si SHBA, Kanada, Izrael dhe Itali, ka filluar vaksinimi i fëmijëve nga mosha 12 deri në moshën 18 vjet, Zekiri thotë se akoma nuk ka një qëndrim të prerë për këtë çështje as nga Organizata Botërore e Pediatërve e as nga Agjencia Evropiane e Barnave. Tha se akoma nuk ka njohuri nëse vaksinimi këtyre fëmijë ka treguar apo jo kontraindikacione që të fillojnë aplikimi edhe në vendin tonë.
“Besoj se tani gjatë periudhës qershor-korrik, deri sa bëhen këto testime të fëmijëve, deri në fillimin e viti shkollor, besoj se do të kemi qëndrim definitiv se nëse duhet të vaksinohen të paktën fëmijët që kanë nevojë për imunizim, që të mos kenë patologji të tjera apo ata fëmijë që kanë komorbilitete.”,- tha drejtori i Spitalit të Fëmijëve “Kozle”, Besnik Zekiri.
Në valën e tretë të virusit që përfshiu vendin tonë, nuk ishin të kuryer as fëmijët. 30 % e tyre ishin pozitiv me COVID-19 në krahasim me valët e mëhershme të virusit ku kjo përqindje ishte 8.
Comments are closed for this post.