Ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, teksa po mban një konferencë për shtyp bashkë në Shqipëri me kryeministrin Edi Rama është pyetur lidhur me hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe nëse këto dy shtete duhet të ndahen në këtë proces.

Roth ka thënë se duhet punuar me të dy shtete, ndërkohë që ka shtuar se Maqedonia dhe Shqipëria i kanë përmbushur kushtet por së fundmi problemi qëndron tek ngërçi i krijuar mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Në politikë vendoset jo vetëm sipas ndjesive por edhe sipas fakteve. Faktet në rastet e këtyre dy shteteve e kanë përmbushur kushtet. Për këtë arsye me të dy shtetet duhet të nisin këto negociata. Tani duhet të fillojë ky proces. Për këtë po punojmë për të biseduar në kuadër të presidencës së Këshillit Evropain. Kemi negociuar me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut nga presidenca portugeze. Kjo mund të mbërrihet me 22 qershor”.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama është shprehur se Shqipëria do vazhdojë të punojë pavarësisht vendimit që do të marrë Bashkimi Evropian.