Presidenti rus, Vladimir Putin dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel diskutuan mundësinë e prodhimit të përbashkët të vaksinave kundër koronavirusit, raporton AFP.
Kremlini njoftoi se diskutimet u zhvilluan në kuadër të një telefonate që patën të dy liderët të martën.
“U diskutuan çështjet e bashkëpunimit për luftimin e pandemisë së koronavirusit me një theks në perspektivat e mundshme për prodhimin e përbashkët të vaksinave”, tha Kremlini në një deklaratë.
Në deklaratë u tha se është arritur pajtim që kontaktet të vazhdojnë mes ministrive të shëndetit të të dyja vendeve dhe agjencive të specializuara.
Të dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu zgjidhjen e konfliktit midis Kievit dhe forcave separatiste pro-ruse në Ukrainën lindore, pasi situata ka mbetur e bllokuar që kur u nënshkruan marrëveshjet e paqes më 2015.
Rusia dhe Gjermania kohët e fundit kanë filluar vaksinimet masive për të frenuar përhapjen e koronavirusit dhe për të shmangur rivendosjen e bllokimeve në të gjithë vendin.
Gjermania po përdor vaksinën e zhvilluar bashkërisht nga Pfizer dhe kompania me bazë në Mainz – BioNtech, ndërsa Rusia ka hedhur në qarkullim masiv vaksinën e saj – Sputnik V.
Në muajin gusht 2020, Rusia njoftoi se do të fillojë përdorimin e vaksinës së saj para fillimit të provave klinike në shkallë të gjerë, duke ngritur shqetësime mbi shpejtësinë e procedurës së licencimit.
Disa kritikë e kanë përshkruar këtë veprim si një mjet për të forcuar ndikimin gjeopolitik të Rusisë.
Alexander Gintsburg, drejtori i qendrës shtetërore të kërkimit Gamaleya që e zhvilloi vaksinën Sputnik, të martën tha se mbi 1 milion njerëz në Rusi janë vaksinuar.
Moska dërgoi gjithashtu vaksinat e saj në Bjellorusi, Serbi dhe Argjentinë dhe njoftoi se Bolivia do të furnizohet me 2.6 milionë doza.
Comments are closed for this post.