Kadri Veselit, njërit nga themeluesit të UÇK-së, dje pasdite i është konfirmuar aktakuza nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Veseli në deklaratën e tij publike tha se ai do të udhëtojë vullnetarisht për në Hagë në mënyrë që t’iu përgjigjet këtyre akuzave.
“E vlerësoj faktin që Dhomat e Specializuara kanë treguar mirësjellje duke më nisur një ftesë për t’u paraqitur në gjykatë, në vend se të më arrestonin në mënyrë të padinjitetshme. Unë i jam përgjigjur këtij akti mirësjelljeje, duke u pajtuar që të udhëtoj këtë mëngjes për në Hagë me përfaqësues të tribunalit, ku formalisht do të paraqitem para trupit gjykues për t’iu përgjigjur akuzave të bëra dhe për të nisur një proces të gjatë të mbrojtjes”.
Lideri i PDK-së ka thënë se kjo duhet konsideruar si një mundësi për të vënë në dukje se “ne kemi bërë një luftë të drejtë dhe të pabarabartë, dhe e kemi bërë këtë luftë në mënyrë të ndershme”.
Ish-udhëheqësi i UÇK-së ka thënë se do të ngrihet në këmbë që të tregojë historinë e tij, njofton Klan Kosova/
“Edhe nëse ka pasur gabime, personat e përfshirë duhet të japin llogari për veprimet e tyre. Ky është kuptimi i sundimit të ligjit për një shtet të ri si i yni. Unë jam i bindur se pasi gjykatësi do të dëgjojnë të gjitha faktet, kanë për të konkluduar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje e popullit, një kryengritje për vetëmbrojtje me burra dhe gra trima, të cilët bën maksimumin e tyre në rrethana të jashtëzakonshme. Pa struktura formale për të mbrojtur popullsinë civile kundrejt një masakre ushtarake gjenocidiale të planifikuar me kujdes prej forcave serbe. Sot, në nderim dhe përkujtim të më shumë se 10 mijë viktimave të pafajshme të regjimit të Millosheviqit, ne duhet të ngrihemi në këmbë dhe të tregojmë historinë tonë. Unë do ngrihem në këmbë të tregoj historinë time. Në duhet të ngrihemi për të treguar historinë e tyre. Ne duhet ti qartësojmë të gjitha faktet, në mënyrë që historia ta njeh të vërtetën”.
Veseli ka deklaruar se ky zhvillim e kërkon angazhimin dhe përqendrimin e tij të plotë, prandaj ai ka njoftuar se do të tërhiqet nga të gjitha aktivitetet publike dhe politike për sa kohë që zgjat ky proces.
“Nuk do të bëj deklarata të tjera publike apo paraqitje zyrtare në Kosovë ndërkohë që procesi gjyqësor vazhdon. Të paktën për momentin, jam një qytetar privat. Deri në fund të këtij procesi, do të kërkoja që ky qëndrim i imi të respektohet nga të gjithë në Kosovë, veçanërisht nga ata të cilët janë të angazhuar në media apo në jetën publike dhe politike”.
Comments are closed for this post.