Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, sot realizoi takim me ambasadorin e sapoemëruar dhe shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Dejvid Gir në të cilin e përshëndeti bashkëpunimin e deritanishëm të shkëlqyer me paraprijësit e tij dhe me Delegacionin e BE-së në vend.
Siç kumtoi shërbimi për informim i Parlamentit Xhaferi e ka informuar ambasadorin për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Parlamentin Evropian dhe në këto suaza, me nismën e Kryetarit të Parlamentit Evropian Dejvid Sasoli për mbajtjen e samiteve të Kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimin në Komitetin e Përzier Parlamentar – Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimi Evropian.
“Dialogu Zhan Mone u tregua si vegël e suksesshme për avancimin e dialogut politik dhe shprehu shpresë së i njëjti do të vazhdojë edhe në të ardhme, sapo të krijohen kushte fizike për mbajtjen e tij. Kuvendi kaloi nëpër shumë vështirësi prej vitit 2008 deri tani dhe doemos ishte të kalojë nëpër një proces rrënjësor të reformave në fushat e detektuara prej ekspertëve të BE-së, që përkatësisht ishin shndërruar në zgjidhje ligjore dhe u nxorën me sukses bashkë me opozitën. Bashkë me tejkalimin e çështjeve bilaterale me fqinjët, të njëjtat sollën edhe datë për fillimin e negociatave sipas metodologjisë së re, e cila për ne i jep besueshmëri më të madhe procesit”, përfundoi Xhaferi.
Ambasadori Gir e përuroi për zgjedhjen e sërishme për Kryetar dhe e lavdëroi për udhëheqjen e suksesshme të Kuvendit në mandatin e kaluar dhe në këtë aktual. Gjithashtu, shprehu gatishmërinë e Delegacionit që në tërësi ti japë mbështetje Kuvendit si institucion vital në procesin e eurointegrimit. Ai e theksoi veçanërisht rolin e rëndësishëm të Komisionit të Çështjeve Evropiane gjatë negociatave, por edhe të nevojës për një konsensus të gjerë partiak për çështjet e BE. Ambasadori Gir nënvizoi se për Komisionin Evropian dhe për institucionet e BE-së, në vigjilje të shpalljes së ardhshme të Raportit për përparimin në tetor të këtij viti, janë me rëndësi nxjerrja e Ligjit për anti-diskriminim, ndryshimet e Kodit zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venedikut, mbështetja eksperte e Komisioneve të mbikëqyrjes mbi shërbimet e sigurisë dhe funksionaliteti i plotë i Këshillit të Mbikëqyrjes Civile.
Comments are closed for this post.