Sot, Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani realizoi takim me Anke Gisele Holstein, Ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Sipas njoftimit të MPJ-së, Ambasadorja Holstein, duke ia uruar zgjedhjen dhe duke i dëshiruar suksese në funksionin e tij të ri me përgjegjësi, shprehi besimin se bashkëpunimi bilateral intensiv do të vazhdojë edhe më tej, dhe në të njëjtën kohë, përsëriti mbështetjen e Gjermanisë në realizimin e prioriteteve tona strategjike.

“Më lejoni të jem i sinqertë – pritjet tona nga presidenca gjermane janë vërtetë të larta, dhe ato mbështeten në miqësinë shumëvjeçare dhe të sinqertë të Gjermanisë në procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE”, tha Osmani, duke shprehur pritjen se pikërisht gjatë Presidencës aktuale te BE-së, do të mbahet edhe konferenca e parë ndërqeveritare për negociatat me Bashkimin Evropian.

Në këtë rast, u shpreh kënaqësi e ndërsjellë nga marrëdhëniet reciproke jashtëzakonisht të mira, nga dialogu politik që është intensiv dhe dinamik, dhe nga vizitat e nivelit të lartë. Kjo tendencë ndiqet nga një bashkëpunim i shkëlqyeshëm në fushën e ekonomisë, gjë që dëshmohet nga fakti se Gjermania në vitin 2019 ishte partneri ynë i parë tregtar, me mbi 4 miliardë euro këmbim tregtar dhe vend nga i cili vijnë shumë investime të konsiderueshme.

Bashkëbiseduesit gjithashtu iu referuan situatës aktuale epidemiologjike dhe sfidave shëndetësore, me ç’rast ministri Osmani shprehi mirënjohje për donacionet e fundit për katër spitale në vend, me vlerë mbi 150 mijë euro, si pjesë e mbështetjes gjermane për ballafaqim me pandeminë dhe ndihmë të drejtpërdrejtë për qytetarët.