Janë regjistruar 130 raste të reja të Kovid-19 nga 1.742 testime të evidentuara në raportin e djeshëm të Ministrisë së Shëndetësisë në 24 orët e fundit. Jetën e kanë humbur dy persona njëri nga Shkupi (70) dhe tjetri nga Shtipi (75), që të dy në kushte spitalore. Janë regjistruar 152 pacientë të shëruar.

Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me kovid në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 12970, numri i të shëruarve është 9513, i të vdekurve është 549, ndërsa për momentin numri i rasteve aktive në vend është 2908.

Nga numri i përgjithshëm i rasteve aktive në Shkup ka 905, në Gostivar 298, Kumanovë 286, Shtip 258, Strugë 171, Tetovë 158, Kërçovë 128, Kavadar 105…

Në Klinikën Infektive gjatë 24 orëve të fundit janë pranuar 2 pacientë të rinj. Gjithsej janë hospitalizuar 76 pacientë, nga të cilët në përkrahje të oksigjenit janë 40, ndërsa nuk ka pacient në ventilim mekanik. Në spitalin në Kozle janë hospitalizuar 19 pacientë të moshuar pozitivë në Kovid-19 dhe 8 fëmijë pozitivë me virus. Në SPQ “8 Shtatori” janë pranuar 5 pacientë të rinj. Gjithsej janë hospitalizuar 74 pacientë, nga të cilët në aparat respiratorë janë tre pacientë. Në spitalin në Manastir janë hospitalizuar 21, ndërsa në spitalin në Shtip janë hospitalizuar 41 pacientë. Në repartet infektive në Tetovë, Ohër, Veles, Kumanovë, Prilep, Gostivar, Strumicë dhe Strugë janë hospitalizuar 120 pacientë – pozitivë dhe të dyshimtë me Kovid-19.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në konferencë për shtyp dje tha se tashmë disa javë në vazhdimësi në vendin tonë ka ulje të numrit të të sapoinfektuarve dhe të vdekurve dhe rritje të numrit të pacientëve të shëruar. Këta janë treguesit kryesorë të cilët na lejojnë të konstatojmë se gjendja me epideminë është e qëndrueshme, njëherësh edhe gjendja me kapacitetet spitalore, të cilët gjithashtu janë nga treguesit më të rëndësishëm për vlerësim të gjendjes epidemiologjike.

Filipçe tha se sipas raportit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, në periudhën prej 10 deri më 16 gusht janë bërë gjithsej 11.605 testime, 2.062, gjegjësisht 17,8 për qind, më shumë në krahasim me javën e kaluar.