Sot mbaron gjendja e jashtëzakonshme tetë ditëshe e shpallur nga presidenti Stevo Pendarovski.

Gjendja e jashtëzakonshme, e pesta me radhë ishte shpallur me 15 qershor me qëllim që të realizohen përgatitjet e duhura për mbajtjen e zgjedhjeve me 15 korrik, pas marrëveshjes mes dy liderëve, të LSDM-së Zoran Zaev dhe të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sipas listave të dorëzuara në KSHZ, do të marrin pjesë 15 koalicione dhe parti me 1598 kandidatë.

Fushata zgjedhore nis të mërkurën, me 24 qershor, ndërsa mbaron me 12 korrik. Partitë gjatë fushatës do të duhen të respektojnë masat për mbrojtje nga pandemia Covid-19.

Votimi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të realizohet për tre ditë, ndërsa do të votohet nga ora 07:00 deri në ora 21:00.

Më 13 korrik do të votojnë personat e diagnostifikuar me Covid-19 si dhe personat të cilët kanë vendim për vetizolim.

Më 14 korrik do të votojnë personat me sëmundje kronike si dhe personat e tjerë që sipas Kodit Zgjedhor votojnë një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhej të mbahen me 12 prill, por për shkak të krizës me koronavirusin e ri (Covid-19) si dhe për shkak të shpalljes së gjendjes së parë të jashtëzakonshme në muajin mars, qeveria përmes urdhëresës me fuqi lidhore ndërpreu të gjitha veprimet zgjedhore.