Gjatë 24 orëve të fundit, në qytetin e Kumanovës ka vazhduar rritja e trendit të të infektuarve me COVID-19, kësisoj kemi edhe 25 raste të reja me COVID-19.

Në mesin e 25 të prekurve nga virusi Korona janë 8 persona nga Spitali i Përgjigjëm i Kumanovës, ku tani numri i të infektuarve me virusin Korona në mesin e personelit mjekësor ka arritur në 34.

Numri i të prekurve nga virusi COVID-19 në rajonin e Kumanovës ka arritur në 168 në total. Ndërkohë që në Qendrën për Shëndet Publik në Kumanovë po bëhen përpjekje maksimale për të përfshirë sa më tepër qytetarë në testimin e tyre.

“Kemi 25 të infektuar me COVID-19, 8 prej tyre janë punëtorë shëndetësorë, 2 prej tyre nga Reparti i Kirurgjisë, nga Reparti i Laboratorisë – një, pastaj një akushere, si dhe 4 nga Shtëpia e Shëndetit në Kumanovë. Numri i testeve deri në këto momente është me sa vijon: 23 teste përmes “Termini Im”, nga personeli mjekësor 30 dhe 25 i kemi sipas indikacioneve epidemiologjike.”,- deklaroi drejtori i Q. Sh. P. – Kumanovë, Arif Latifi.

Për shkak të rritjes së vazhdueshme të numrit të personelit mjekësor në Repartin e Gjinekologjisë dhe Akusherisë pranë Spitalit të Kumanovës, Shtabi për Mbrojtje dhe Shpëtim ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Komisioni për Sëmundje Infektive, urgjentisht të mbyllë për punë këtë repart, si dhe të bëhet kontroll urgjent i kapaciteteve tjera spitalore në Spitalin e Kumanovës për t’u bërë vlerësimi i rrezikut eventual për funksionim të papengueshëm të reparteve tjera e njëherit të plotësohet edhe kapaciteti i kuadrit mjekësor me kuadro të reja në këtë spital.

Në fund të theksojmë se Gjyqi komunal në Kumanovë dhjetë qytetarë të Kumanovës i ka gjobitur me nga 1.000 euro, për shkak të mosrespektimit të rregullave shëndetësore në kohë të epidemisë, si dhe për shkak të shkeljes së masës për lëvizje të kufizuar