Qindra miliona fëmijë në mbarë botën kanë gjasa të përballen me më shumë kërcënime ndaj sigurisë dhe mirëqenies së tyre, duke përfshirë keqtrajtimin, dhunën me bazë gjinore, shfrytëzimin, përjashtimin social dhe ndarjen nga kujdestarët, për shkak të veprimeve të ndërmarra për të frenuar përhapjen e pandemisë së COVID-19.
UNICEF-i i nxit qeveritë që të garantojnë sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve përballë pasojave socio-ekonomike në rritje nga sëmundja. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, së bashku me partnerët e saj në Aleancën për Mbrojtjen e Fëmijëve në Veprim Humanitar, ka botuar një set udhëzimesh për të mbështetur autoritetet dhe organizatat e përfshira në këtë reagim.
Në pak muaj, COVID-19 ka ndryshuar jetët e fëmijëve dhe familjeve në mbarë globin. Megjithëse konsiderohen të nevojshme, përpjekjet për karantinim, si mbylljet e shkollave dhe kufizimet në lëvizje, po çekuilibrojnë rutinën e fëmijëve dhe sistemet e mbështetjes. Ato po shtojnë edhe faktorë të rinj stresi mbi kujdestarët, të cilëve mund t’iu duhet të braktisin punën.
Stigma lidhur me COVID-19 ka bërë që disa fëmijë të jenë më të cenueshëm ndaj dhunës dhe ankthit psikosocial. Në të njëjtën kohë, masat kontrolluese për mospërhapjen që nuk marrin parasysh nevojat specifike gjinore dhe cenueshmëritë e grave dhe vajzave mund të rrisin edhe rrezikun e tyre për shfrytëzim seksual, abuzim dhe martesë në moshë fëminore. Për shembull, të dhënat më të fundit jozyrtare nga Kina tregojnë një rritje të ndjeshme të rasteve të dhunës në familje ndaj grave dhe vajzave.
“Në shumë mënyra, sëmundja tashmë po ndikon te fëmijët dhe familjet përveç atyre që infekton në mënyrë direkte,” u shpreh Cornelius Williams, Përgjegjësi për Mbrojtjen e Fëmijëve pranë UNICEF-it. “Shkollat po mbyllen. Prindërit po hasin vështirësi në kujdesin për fëmijët e tyre dhe në përmbushjen e qëllimeve. Rreziqet ndaj mbrojtjes së fëmijëve po rriten. Ky udhëzim iu ofron qeverive dhe autoriteteve të mbrojtjes një plan masash praktike që mund të ndërmerren për t’i mbajtur fëmijët të sigurtë në këto kohë pasigurie.”
Përqindje të larta të abuzimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve janë shënuar edhe gjatë emergjencave të mëparshme të shëndetit publik. Për shembull, mbylljet e shkollave gjatë shpërthimit të virusit Ebola në Afrikën Perëndimore nga viti 2014 deri në 2016 sollën një rritje të madhe të përqindjes së punës së fëmijëve, neglizhimit, abuzimit seksual dhe shtatzënive në adoleshencë. Rastet e shtatzënisë në adoleshencë në Sierra Leone më shumë se u dyfishuan krahasuar me numrin përpara shpërthimit, duke arritur në 14,000.
Si pjesë e këtij udhëzimi, Aleanca iu rekomandon qeverive dhe autoriteteve të mbrojtjes të ndërmarrin hapa konkrete për të garantuar që mbrojtja e fëmijëve të jetë pjesë përbërëse e të gjitha masave parandaluese dhe kontrolluese për mospërhapjen e COVID-19, duke përfshirë:
Trajnimin e personelit shëndetësor, arsimor dhe të shërbimeve për fëmijët mbi rreziqet ndaj mbrojtjes së fëmijës lidhur me COVID-19, duke përfshirë parandalimin e shfrytëzimit dhe abuzimit seksual dhe se si të raportohen shqetësimet në mënyrë të sigurt;
Trajnimin e reaguesve të parë se si të menaxhojnë zbulimin e dhunës me bazë gjinore (Doracak për DHBGJ-në), dhe se si të bashkëpunojnë me shërbimet e kujdesit shëndetësor për të mbështetur të mbijetuarit e DHBGJ-së;
Rritjen e ndarjes së informacionit mbi referimin dhe shërbimet e tjera mbështetëse të disponueshme për fëmijët;
Angazhimin e fëmijëve, veçanërisht të adoleshentëve, për të vlerësuar se si COVID-19 i prek ata ndryshe, dhe mbi këtë informacion të mbështesin programimin dhe advokimin;
Ofrimin e mbështetjes së synuar për qendrat e kujdesit të përkohshëm dhe familjet, duke përfshirë familjet ku kryefamiljari është fëmijë dhe familjet kujdestare, për t’i mbështetur fëmijët emocionalisht dhe për t’i angazhuar ata në kujdesin e duhur për veten;
Ofrimin e asistencës financiare dhe materiale për familjet burimet e të ardhurave të të cilave janë prekur; dhe
Ndërmarrjen e masave konkrete për të parandaluar ndarjen fëmijë-familje, dhe për të siguruar mbështetje për fëmijët e lënë vetëm pa kujdesin e duhur, për shkak të shtrimit në spital ose vdekjes së njërit prind ose kujdestarit; dhe
Garantimin që mbrojtjes së të gjithë fëmijëve t’i kushtohet rëndësi maksimale në masat kontrolluese të sëmundjes.UNICEF
Comments are closed for this post.