Pretendime shqetësuese janë shfaqur në disa media të huaja, përfshirë Daily Mail, sipas të cilave persona të prekur nga koronavirusi i rrezikshëm në Wuhan të Kinës i pështyjnë qëllimisht mjekët dhe infermierët në fytyrë, e të njëjtën gjë bëjnë edhe me dorezat e dyerve.
Një 23-vjeçare nga Afrika e Jugut, Jessica Bailing, thotë se ka shumë frikë të dalë jashtë. “Shkova të bëja pazarin, por ishte e tmerrshme. U mbulova kokë e këmbë, vesha doreza, vura syze, e sigurisht dhe maskën. Kam dëgjuar histori shokuese.
Njerëzit thonë se persona të infektuar, për shkak se u sëmurën vetë, përpiqen t`ia kalojnë virusin edhe të tjerëve. Madje kam parë dhe një video ku shihej sesi një burrë pështynte butonat e ashensorit të një pallati, të cilat padyshim do t`i shtypnin edhe banorët e tjerë”.
Të tilla pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht, por mjaftojnë për ta shtuar edhe më shumë frikën nga shtrirja e këtij virusi të ri, për të cilin mjekët thonë se përhapet me spërklat e pështymës. Ekspertët kanë paralajmëruar sakaq se koronavirusi që vazhdon të marrë jetë njerëzish, mund të përhapet përmes prekjes së sipërfaqeve të kontaminuara.
Rastet e infektimit janë trefishuar brenda tre ditëve, ç’ka e bën fuqinë e përhapjes së tij edhe më të madhe se ajo e SARS-it.
Comments are closed for this post.