Për një kohë të gjatë është paralajmëruar se do të vjen, por tani jemi më afër se asnjëherë më parë për pilulat kontraceptive mashkullore.
Siç e dimë, nevojiten dy persona për të bërë seks, kështu që barra i bie edhe mashkullit edhe femrës ta zgjidhin çështjen e kontraceptivëve.
Për momentin, një pjesë e madhe e femrave përdorin pilula kontraceptive, e këtë e bëjnë kryesisht për shkak se nuk ka shumë opsione alternative për meshkujt.
Normalisht se ekzistojnë edhe prezervativët, por shumica e çifteve thonë se seksi nuk është aq i kënaqshëm me prezervativë, andaj vendosin të mos përdorin fare mbrojtje, ose femrat përdorin pilula kontraceptive.
Megjithatë, e tërë kjo situatë duket se do të ndryshojë në të ardhmen e afërt, pasi që shkencëtarët amerikanë me sukses i kanë kryer testet e pilulave të reja.
Kur përdoren për një muaj, nivelet e dy hormoneve të cilat nevojiten për prodhimin e spermës bien në mënyrë drastike.
Si pjesë e këtij studimi, 40 pjesëmarrës kanë përdorur çdo ditë nga një pilulë të tillë.
Kontraceptivi eksperimental është testosteron i modifikuar që i kombinon aksionet e hormonit mashkullor androgjenit dhe progesteronit. Niveli mesatar i testosteronit dhe androgjenit kishte rënë, dhe njëkohësisht pjesëmarrësit nuk kishin përjetuar ndonjë efekt anësor.
Sipas meshkujve që kishin marrë pjesë në këtë studim, pilulat nuk kishin pasur ndonjë efekt anësor, por ata që kishin përjetuar efekte anësore, raportojnë për efekte shumë të lehta. P.sh., disa kanë raportuar për lodhje, shfaqje të akneve ose herë pas here dhimbje koke.
Në aspektin e seksit, pesë meshkuj kishin raportuar për epsh pak më të vogël seksual, dy kishin raportuar për probleme të lehta me ereksion. Sidoqoftë, në momentin që kishin ndaluar së përdoruri këtë pilulë, gjërat iu ishin kthyer normalitetit.
Hulumtuesit me bazë në Los Angeles thonë se do të bëjnë testime më afatgjate në të ardhmen e afërt, pasi që pilulat zakonisht marrin kohë 60-90 ditë për të ndikuar në prodhimin e spermës.
Comments are closed for this post.