Ministri i Arsimit dhe Shkencës, dr. Arbër Ademi, sot mori pjesë në promovimin e Programit “Shkolla të shekullit 21 për Ballkanin Perëndimor”, që financohet nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuara, që e zbaton Këshilli Britanik në shkollat fillore në vend.

“Ideja e këtij programi është që shkollat të jenë të orientuara dhe maksimalisht të përqendruara në zhvillimin e shkathtësive digjitale dhe formimin kompjuterik të fëmijëve në zhvillimin e mendimit kritik dhe nxitjen e tyre për zgjidhjen e problemeve, duke gjetur alternativat më efikase dhe më efektive”, deklaroi Ademi.

Kjo ide, sipas ministrit Ademi,  do të arrihet nëpërmjet ndryshimit të qasjes dhe mënyrës së mësimdhënies së arsimtarëve, për të cilën gjë të njëjtit do të ndjekin trajnime adekuate dhe përmes zbatimit të pajisjeve informatike bashkëkohore të komunikimit gjatë procesit arsimor – i ashtuquajtur Kompjuter mikrobit për kodim, jo vetëm për lëndën e Informatikës, por edhe për të gjitha lëndët mësimore, që nxit pikërisht në zhvillimin e mendimit kritik, inventivitetit në zgjidhjen e problemeve dhe kreativitetit.

“Këto pajisje nuk janë teknologjia e fundit në botë, por ato janë risi e madhe në vendin tonë. Ne i pranojmë ato, sepse vlerësojmë se orientimi drejt teknologjisë moderne të IT dhe inovacioneve mund të sjellë vetëm efekt pozitiv dhe arsimim më të mirë”, ka shtuar Ademi.

Në kuadër programit, që ishte në formë të pilot-programit, ku ishin përfshirë fëmijët e moshës 10-14 vjeç në 20 shkolla fillore. Tani zgjerohet implementimi i programit me përfshirjen e të gjitha shkollave fillore në vend në tri faza që do të përfundojë deri në vitin 2021. Të gjitha shkollat fillore do të marrin 20 deri në 30 pajisje mikro bit.

“Më duhet të theksoj se ky program është komplementar me synimet e Strategjisë së Arsimit 2018-2025 dhe është plotësues i shkëlqyeshëm i bazës së reformës në arsimin fillor, që aktualisht jemi duke e konceptuar, edhe atë pikërisht në këtë drejtim – ndërtimin (përsosjen) e brezave të ri që çdoherë do të jenë më të mirë se sa ata paraprak – gjenerata këto që do të kenë mendim të zhvilluar kritik dhe që do t’i posedojnë dhe njohin mirë shkathtësitë që zakonisht janë më të kërkuara në tregun e punës”, ka thënë ministri Ademi në fjalën e tij.