Para më shumë se 3,000 spektatorëve, në Teatrin Antik në Ohër mbrëmë me shfaqje njëorëshe nga pianistja amerikane Claire Huangqi dhe Filarmonia Maqedonase, u hap edicioni i 65-të i Festivalit Veror të Ohërit, i cili do të ofrojë program të pasur muzikor dhe dramatik deri më 20 gusht. Ndër të tjera, ata interpretuan të famshmen “Pajdushko” nga Damir Imeri. Festivalin e shpalli të hapur Presidentja e vendit, Gordana Siljanoska Davkova.

“65 vjet Vera e Ohrit është pasqyra jonë e çmuar artistike, një qendër prestigjioze e artit. Prej 65 vitesh arti hyn përmes portave të Ohrit dhe shëtit nëpër qytet. Çdo notë, çdo varg dhe mendim, çdo zë e hap bashkohen në simfoninë verore të Ohrit. Ohri është një, Ohri është Ohri – nuk ka verë artistike si ajo e Ohrit, nuk ka festival si ai i Ohërit. Nga të dy brigjet e liqenit kanë marrë frymëzim romantiku i parë maqedonas Konstantin Miladinov, por edhe modernisti i parë shqiptar, Lasgush Poradeci”, tha Gordana Siljanovska Davkova.

“Sot, 65 vite më vonë, kujtojmë ato hapat e parë të guximshëm, kur recitali i Ana Lipsha Tofoviq në kishën Shën Sofja shënoi lindjen e diçkaje që u shndërrua në simbol të dinjitetit, prestigjit artistik dhe vizionit shtetëror për identitetin kulturor”, u shpreh Zoran Ljutkov – ministër i Kulturës.

Mesazhin artistik e përcolli aktori Gjorgji Jolevski, i cili tha se, ndërsa bota jeton në një kohë lufte, ku jeta njerëzore është zhvlerësuar dhe retorika politike është një teatër pa katarsis, arti nuk është luks, por domosdoshmëri.

“Në ndërkohë, ndërsa bombat bien dhe liderët botërorë flasin me klishe, inteligjenca artificiale mëson të krijojë – makinat kompozojnë, pikturojnë, shkruajnë. A do të na zëvendësojnë? Ndoshta, por nuk do të na kuptojnë, sepse makina mund të krijojë zë, por jo heshtje; mund të gjenerojë tekst, por jo shqetësim; mund të imitojë poezi, por jo ndjenja. Çdo akt i artit është një akt shprese. Ne sonte e kremtojmë atë shpresë – shpresën se njerëzorja ende ka zë”, tha Gjorgji Jolevski.

Në hapje ishte e pranishme e gjithë udhëheqësia shtetërore, një pjesë e trupit diplomatik, ndërsa mysafir i veçantë ishte presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.