Të burgosurit nuk do të trajtohen më në spitale si persona të pasiguruar, por do të kenë sigurim shëndetësor menjëherë me hyrjen në sistemin e burgjeve dhe jo me një muaj vonesë siç ishte më parë, njoftoi sot drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski. Më parë, për shkak të pengesave administrative, të burgosurit regjistroheshin një muaj më vonë, gjë që nënkuptonte se administrata paguante kosto shtesë për ekzaminim të mundshëm të një të burgosuri në muajin e parë të qëndrimit të tij.
“Ajo që kemi bërë është në thelb, kemi digjitalizuar procedurën dhe burgjet nuk do të kenë nevojë të shkojnë në zyrat rajonale dhe të regjistrojnë dhe çregjistrojnë të burgosurit, dhe administrata do të ketë njohuri në bazën e të dhënave të fondit se sa të burgosur të regjistruar duhet të paguajnë sigurimin shëndetësor. Kjo do të kursejë kohë dhe do ta lehtësojë koordinimin”, deklaroi Sasho Klekovski, drejtor i FSSHM-së.
Përveç sigurimit shëndetësor, burgjet në vend po përballen edhe me mungesë të personelit mjekësor dhe nga Drejtoria e Ekzekutimit të Sanksioneve thonë se kjo është sfidë për të cilën do të duhet të punohet në periudhën e ardhshme bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë.
“Ka mungesë të personelit shëndetësor, tani, të mos paragjykoj, janë gjetur zgjidhje dhe për të mos u përsëritur, ka dëshirë që kjo të zgjidhet edhe nga unë, edhe nga ministri Taravari, janë formuar grupe punuese me njerëz nga Drejtoria për ekzekutim e sanksioneve, nga Drejtoria e sanksioneve, nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga Fondi Shëndetësor, do ta zgjidhim problemin”, tha Aleksandar Pandov, drejtor i Drejtorisë për ekzekutimin e sanksioneve.
Me ndryshimin e ligjit për Drejtorinë e sanksioneve në vitin 2019, në burgje u punësua personeli mjekësor, ndërkohë që tashmë stafi i kërkuar për këto institucione përcaktohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe një pjesë e madhe e të burgosurve marrin shërbime shëndetësore në qendrat shëndetësore më të afërta.
Comments are closed for this post.