Kompanitë “Jubaj 2”, “Amet”,”Frukta Fruta”, “Kadis Holding” dhe “Atlantik” janë përmendur se kanë blerë parcelat nga persona fizikë ku është dashur të kalonte traseja e autostradës Shkup-Bllacë, ndërsa parcelat janë rishitur disa herë.

Këto të dhëna i ka theksuar zvëndëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski, duke akuzuar se në prapaskenë të këtyre shitjeve dhe tenderëve ka qëndruar BDI.

“Nuk ka pasur asnjëherë një prezantim publik të tre traseve, që është detyrim ligjor. Mjetet për autostradën janë miratuar për herë të parë në vitin 2019, janë konfirmuar në vitin 2020. Pse nuk është shpallur tender në vitin 2021, që të shiten parcelat dhe të bëhet tenderi që ta marrë vetëm një kompani dhe vetëm ajo të ndërtojë tunele”, theksoi Nikolloski.

“Autostrada nga Shkupi në Bllacë do të ndërtohet, por unë nuk do të bëj krim dhe nuk do t’i lejoj qytetarët e Maqedonisë të paguajnë 70 milionë euro më shumë për shkak të ndryshimeve në rrugën e bërë nga Qeveria e kaluar”, theksoi dje  zvëndëskryeministri ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski. Megjithatë ai shtoi se deri më tani nuk ka zgjidhje autostrade, pavarësisht se janë ndërtuar dy kilometra autostradë, e cila, siç tha ai, nuk fillon askund dhe nuk përfundon askund.