Presidentja e Republikës së Maqedonisë Gordana Siljanovska Davkova priti sot në vilën “Biljana” në Ohër Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili ndodhet për një vizitë pune në vend.

Të dy bashkëbiseduesit shprehen miqësinë e krijuar dhe marrëdhëniet e mira dypalëshe midis dy vendeve. Ata ranë dakord se lidhja rajonale e infrastrukturës është mënyra më e mirë për të thelluar bashkëpunimin midis dy vendeve. Ndër projektet kryesore në këtë fushë është Korridori 8, i cili duhet të jetë një nga prioritetet që do të mundësojë komunikim më të lehtë midis vendeve në rajon.

Të dy presidentët shprehën shpresën se si fqinjë, të dy vendet mund të arrijnë sukses në mbrojtjen e Liqenit të Ohrit, natyrës dhe pasurisë së përbashkët natyrore. Ekziston mundësia që këto aktivitete të financohen përmes fondeve evropiane, të disponueshme përmes aplikimeve të përbashkëta nga të dy vendet.

Pasditen e sotme, Siljanovska Davkova dhe Begaj vizituan disa nga vlerat e lashta të Ohrit që mahnisin me autenticitetin dhe bukurinë e tyre, duke filluar me Çinarin, duke vazhduar me Xhaminë Alipasha, pastaj monumentin e Shën Klementit, shtëpinë e Robevcive, muzeun e letrës dhe kishën “Shën Sofia” – secila prej tyre, një simbol i përhershëm i spiritualitetit, artit, traditës dhe historisë.

Përmes dialogut kulturor, forcohen urat e afrimit, besimit, miqësisë, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit.