Kandidati nacionalist i opozitës polake, Karol Nawrocki , i mbështetur nga Partia Ligj dhe Drejtësi (PiS), ka fituar zgjedhjet presidenciale të Polonisë, duke mposhtur rivalin e tij pro-evropian, Rafał Trzaskowski, në një garë jashtëzakonisht të ngushtë.

Rezultatet zyrtare treguan se Nawrocki mori 50.89% të votave në balotazh, ndërsa Trzaskowski 49.11%.

Fitorja e Nawrockit është një goditje e madhe për qeverinë e koalicionit të udhëhequr nga Donald Tusk dhe pritet të zgjasë bllokimin aktual politik në vend, si dhe të ndërlikojë pozicionin e vendit në Evropë.

Rezultatet vijnë pas një kthese dramatike, duke qenë se sondazhi i parë i publikuar sugjeronte një fitore të ngushtë për Trzaskowski-n me 0.6%, duke e shtyrë atë të shpallte fitoren.

Megjithatë Nawrocki nuk e pranoi humbjen, duke u shprehur i bindur se do të fitonte kur të numëroheshin të gjitha votat.

“Ne do të fitojmë dhe do ta shpëtojmë Poloninë ”, tha ai. “Ne duhet të fitojmë sonte.”

Nawrocki, i mbështetur nga Partia Ligj dhe Drejtësi (PiS), pritet të vazhdojë politikat e paraardhësit të tij, Presidentit Andrzej Duda, gjithashtu një aleat i partisë më të madhe të opozitës, duke përfshirë bllokimin e çdo përpjekjeje nga qeveria për të liberalizuar abortin ose për të reformuar gjyqësorin.

Në platformën e mediave sociale X, Duda falënderoi polakët që shkuan të votonin masivisht. Pjesëmarrja në votime ishte 71.31%, tha komisioni zgjedhor, një rekord për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

“Faleminderit! Për pjesëmarrjen në zgjedhjet presidenciale. Për përmbushjen e detyrës suaj qytetare. Për marrjen e përgjegjësisë për Poloninë. Urime fituesit! Stay strong Poloni!” shkroi Duda.