Kryeministri dhe lider i LSDM-së, Zoran Zaev sot përmes video-fjalimit u bëri thirrje qytetarëve të dalin të votojnë në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 5 maj.

“Në këto zgjedhje sillet vendim kyç në moment kyç për vendin tonë dhe të ardhmen tonë. A do të shkojmë përpara, a do të vazhdojmë me botën e zhvilluar apo do të lejojmë bllokim të mundësive tona dhe do të kthehemi prapa në të kaluarën e keqe”, iu drejtua qytetarëve kryeministri.

Ai theksoi se në dy vitet e kaluara me mbështetje të qytetarëve ishin zgjidhur çështjet më të rënda me fqinjët dhe i hapën perspektivat për vendin.

“Dhe ju bind se do të vazhdojmë edhe më fuqishëm t’i zgjidhim edhe problemet e brendshme të cilat i mundojnë qytetarët çdo ditë. Në të vërtetë, edhe krejt çka bëmë deri më tani është mu për zgjidhje të atyre problemeve. Në rrjedhë është rritja e ndihmës sociale për tre herë, ulja drastike e dënimeve për ndërmarrjet dhe qytetarët, fillim i kthimit të TVSH-së për secilin banor të vendit tonë dhe sigurim i ndihmës financiare për ndërmarrjet vendore përmes të cilave mbështesim vende të reja, mirë të paguara, të punës”, tha Zaev në fjalimin drejtuar qytetarëve.

Sipas kryeministrit Zaev, disa nga këto përfitime i frenon presidenti i tanishëm, me atë që, siç tha, nuk i nënshkruan ligjet me të cilat këto përfitime duhet të hyjnë në fuqi.

“Neve nuk na duhet frenues i ri. Na duhet dikush që tërheqë përpara, e jo dikush që frenon dhe bllokon. përgjegjësia ynë si politikanë është të zhvillohet vendi. I pranojmë me sinqeritet kritikat dhe themi se në rrjedhë janë ndryshimet me të cilat shumë shpejtë do të rriten rezultatet nga puna jonë në plan të brendshëm. Duhet të ndërmerret përgjegjësi mu atje ku nevojitet. Dhe atë do ta bëjmë pas zgjedhjeve”, tha Zaev.

Ai u bëri thirrje qytetarëve më 5 maj t’i lënë anash ndarjet dhe të bashkohen para zgjedhjes dhe vendimit.

“E dimë se sa shumë na nevojitet zgjedhjet të kenë sukses dhe të fitojë opsioni i avancuar. E dimë se duhet masovisht të dalim dhe të votojmë, të gjithë. Secila votë është e rëndësishme. U drejtohem të gjithë qytetarëve tanë, të gjithë maqedonasve, shqiptarëve, turqve, romëve, vllehëve, serbëve, boshnjakëve dhe të gjithë të tjerëve – dilni më 5 maj dhe votoni sipas vullnetit tuaj, por PËR të ardhmen e vendit dhe PËR të ardhmen e fëmijëve. Secila votë është votë vendimtare. Fuqia e votës është tek të gjithë ju, ndërsa vota është më e fuqishme kur është në vendvotim. Të dalim të gjithë dhe të mbështesim opsion me të cilin së bashku do të vazhdojmë përpara”, thotë Zaev në video fjalimin drejtuar qytetarëve.