Jehona e Shqipërisë turistike është përhapur edhe në kontinentin e Azisë, në rajonin e Lindjes së Mesme, në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në një artikull të përditshmes “The National”, në pronësi të shtetit, që botohet në Abu Dhabi, shkruhet se kjo është koha ideale për të zbuluar qytetet interesante të Ballkanit me kosto të përballueshme.

Kryeqyteti dinamik i Shqipërisë ofron një ndërthurje magjepsëse të ndikimeve osmane, të epokës komuniste dhe bashkëkohore. Tirana është perla e Ballkanit.

Shkrimi rekomandon që aventura në Shqipëri të nisë në Tiranë, në Sheshin Skënderbej, sheshin qendror që mban emrin e heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbej. Statuja e vetë Skënderbeut mbi kalë është një pikë qendrore e sheshit; sfondi i saj me fasada të ndryshme pasqyron një qytet që ka një të kaluar komplekse dhe një të tashme të gjallë.

Ngjitur me Sheshin Skënderbej ndodhet xhamia e mrekullueshme e Et’hem Beut, një dëshmi e qëndrueshmërisë fetare. Xhamia i mbijetoi mrekullisht politikave ateiste të regjimit totalitar, duke shërbyer si një simbol i fuqishëm i shpirtit elastik të Shqipërisë dhe ringjalljes së lirisë fetare.

Një tjetër pikë interesante që duhet vizituar në Tiranë është edhe Piramida. Nevojiten 10 minuta për të ecur në atraksionin që ofron një pamje të horizontit të qytetit nga lart.

Po ashtu, rekomandohet një turne në stadiumin “Air Albania”, të cilin artikulli e cilëson si një pikë referimi moderne sportive. Stadiumi kombëtar i futbollit përfaqëson me krenari arkitekturën më moderne të qytetit, me një kapacitet prej 22 mijë vendesh.

Gjithashtu, nuk lihet pa përmendur as parku i liqenit artificial, apo ngjitja në malin e Dajtit me teleferik, si edhe zona e ish-Bllokut, të cilën në artikull e përshkruajnë si “zonën elegante dhe të gjallë të kafeneve dhe restoranteve të qytetit”.

Në artikull shkruhet se Tirana është një perlë e Mesdheut, ku mund të shijoni pushime cilësore me një kosto të përballueshme, dhe është e lehtë për t’u eksploruar, me fluturime direkte nga Abu Dhabi që do të vazhdojnë deri në fund të gushtit.