Një i vdekur, dy të plagosur dhe katër të arrestuar. Ky është bilanci i përleshjes së armatosur në Çair të Shkupit që ndodhi rreth mesnatës.

“Ky është vendparkimi që mbrëmë u shndërrua në një fushëbetejë mes dy grupeve të cilat si pasojë e një mosmarrëveshjeje paraprake në trafik, përfunduan me një përleshje me armë zjarri, ku si pasojë mbeti i vrarë një person”.

Bëhet fjalë për 25 vjeçarin, Hebib Bunjaku, i cili nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra. Në përleshjen me armë zjarri të plagosur mbetën edhe dy persona të tjerë.

“Më 11.02.2025, në ora 00:06, nga Spitali i Përgjithshëm i Qytetit “Shën Naumi i Ohrit” është raportuar se tek ata janë sjellë me lëndime nga armë zjarri H.B. (35) dhe A.D. (35), të dy nga Shkupi, dhe se më vonë H.B. ka ndërruar jetë, ndërsa mbi A.D. është kryer ndërhyrje dhe është mbajtur për trajtim. Për shkak të plagëve nga arma e zjarrit, në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” është dërguar edhe N.D. nga Shkupi”, thonë nga MPB.

Pas masave të ndërmarra dhe për shkak të dyshimit se kanë marrë pjesë në të shtëna, policia ka arrestuar 4 persona, 39 vjeçarin B.B, 22 vjeçarin N.D, 41 vjeçarin R.R dhe 28 vjeçarin K.T që të gjithë nga Shkupi. Gjithashtu, pas masave të ndërmarra, në vendngjarje janë gjetur dy pistoleta dhe sende të tjera të lidhura me rastin. Nga policia njoftojnë se personat janë mbajtur në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të ngrihen kallëzime përkatëse.

Nga prokuroria njoftojnë se në vendngjarje janë marrë prova dhe gëzhoja, ndërsa po shqyrtohen edhe pamjet nga kamerat e sigurisë.

“Sipas të dhënave fillestare, në të shtënat kanë marrë pjesë disa persona, ndërsa nga vendngjarja janë marrë prova dhe gëzhoja, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës. Janë siguruar gjithashtu pamje nga kamerat e sigurisë, të cilat po shqyrtohen”, thonë nga Prokuroria.

Gjithashtu, është dhënë urdhër për autopsinë e trupit të viktimës dhe po punohet për zbardhjen e plotë të rastit.