Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi sot se nisma për Ballkanin e Hapur, e nisur nga Shqipëria, Maqedonia Veriore dhe Serbia, duhet të jetë e hapur për vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor.
Merkel në një konferencë për media në Beograd pas takimit me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nisma mund të çojë në përparim, por ajo “nuk do të donte që disa të kishin përshtypjen se ekziston një klub special”.
“Proceset duhet të jenë të hapura. Nëse tre nga gjashtë vendet (e Ballkanit Perëndimor) thonë se duan të bëjnë një hap, duhet të jetë e qartë se një vend i katërt do të përfshihet kur thotë se dëshiron të marrë pjesë. Ne duhet të kemi gjithmonë qëllimin për të qenë në fund të të gjashtë vendeve,” tha Merkel.
Nisma e përbashkët e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev nuk po përkrahet nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.
Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, që Kosova e ka kundërshtuar edhe më parë.
Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkan të hapur për ndikimet nga Lindja” sesa një nisme për treg të përbashkët për vendet e rajonit.
Sipas Kurtit, kjo nismë duhet të shoqërohet edhe me ballafaqimin me të kaluarën të Serbisë, dhe të presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq, pasi Serbia ka shkaktuar katër luftëra në dekadën e fundit të shekullit 20.
Në këtë nismë, që është thënë se do të kontribuojë në krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Ideja e “mini-Shengenit” është prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Më 29 korrik 2021, kur iu ndryshua emri kësaj nisme, në një forum ekonomik të mbajtur në Shkup, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u bënë thirrje të gjitha shteteve të rajonit që t’i bashkohen kësaj iniciative.
Comments are closed for this post.