Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi të enjten se Franca do ta njohë Palestinën si shtet. Vendimi vjen në një kohë kur zemërimi global po rritet për shkak të urisë masive në Gaza.
Macron tha në një postim në rrjetin “X” se do ta formalizojë këtë vendim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator.
“Urgjenca sot është që lufta në Gaza të ndalet dhe popullsia civile të shpëtohet”, u shpreh ai.
Presidenti francez kishte ofruar mbështetje për Izraelin pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023 dhe ka folur shpesh kundër antisemitizmit, por është shprehur gjithnjë e më i zhgënjyer nga lufta e Izraelit në Gaza, veçanërisht muajt e fundit.
“Duhet menjëherë një armëpushim, lirimi i të gjithë pengjeve dhe një ndihmë humanitare masive për popullsinë e Gazës. Po ashtu, është e nevojshme të çmilitarizohet Hamasi, të sigurohet dhe rindërtohet Gaza. Së fundi, duhet të ndërtohet Shteti i Palestinës, të garantohet qëndrueshmëria e tij dhe, nëpërmjet pranimit të çmilitarizimit dhe njohjes së plotë të Izraelit, ai të kontribuojë në sigurinë e të gjithëve në Lindjen e Mesme. Nuk ka alternativë tjetër”, shkroi ai në “X”.
Fidèle à son engagement historique pour une paix juste et durable au Proche-Orient, j’ai décidé que la France reconnaîtra l’État de Palestine.
J’en ferai l’annonce solennelle à l’Assemblée générale des Nations unies, au mois de septembre prochain.… pic.twitter.com/7yQLkqoFWC
— Emmanuel Macron (@EmmanuelMacron) July 24, 2025
Lajmi vjen në një moment kur rritet zemërimi global ndaj situatës humanitare në Gaza dhe pas ndërprerjes së bisedimeve për armëpushim nga SHBA-të, të cilat akuzuan Hamasin për mungesë vullneti të mirë.
Ministria e Jashtme e Izraelit nuk ka reaguar ende mbi vendimin e Francës.Palestinezët kërkojnë pavarësi në Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Gaza, territore të pushtuara nga Izraeli në luftën e vitit 1967, por qeveria izraelite vazhdon ta kundërshtojë këtë kërkesë. Ata pretendojnë se një shtet i tillë do të shpërblente grupet militante pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.
Izraeli aneksoi Jerusalemin Lindor menjëherë pas luftës së vitit 1967 dhe e konsideron pjesë të kryeqytetit të tij të pandarë. Në Bregun Perëndimor, ai ka ndërtuar dhjetëra vendbanime, disa prej tyre si lagje të mëdha, ku jetojnë mbi 500 mijë kolonë hebrenj me shtetësi izraelite.
Ndërkohë, rreth 3 milionë palestinezë që jetojnë në këtë territor ndodhen nën kontroll ushtarak izraelit, ndërsa Autoriteti Palestinez ushtron kontroll të kufizuar vetëm në zonat urbane.
Comments are closed for this post.