Pas Vanesa Koxhës, edhe një viktimë tjetër me origjinë nga Kosova është konfirmuar si pasojë e vërshimeve të fundit me të cilat u përball Gjermania. Këtë lajm e ka konfirmuar për KosovaPress, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila ka thënë se përmes ambasadës dhe konsullatave në Gjermani është duke përcjellë nga afër situatën dhe është në kontakt me shumë familje dhe pjesëtarë të mërgatës në zonat e prekura nga katastrofa natyrore.
“Bazuar në të dhënat zyrtare, deri më tani ka humbur jetën një person me shtetësi kosovare si dhe një person tjetër që ka njërin prind me shtetësi të Kosovës përderisa viktima mbanë shtetësinë gjermane. MPJD-ja, fton të gjithë bashkatdhetarët që të lajmërohen në konsullatat më të afërta të cilat janë të gatshme në çdo kohë të ofrojnë asistencën e nevojshme”, thuhet në njoftimin e MPJD-së..
Ndryshe lajmin për vdekjen e Vanesa Koxhës e ka bërë të ditur babai i saj, Emin Koxha, përmes një postimi në Facebook.
“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se vajza jonë, Vanesa Koxha, ndërroi jetë në vërshimin tragjik në Gjermani dhe varrimi bëhet këtu, në Gjermani”, shkroi ai.
Kujtojmë se nga vërshimet e javës së fundit në Gjermani kanë humbur jetën mbi 160 persona
Comments are closed for this post.