Sot ka nisur gjykimi në rastin e krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt. Të dy, janë deklaruar të pafajshëm kur janë pyetur sot nga kryetari i trupit gjykues.
“Para se të deklarohem, do të kisha pasur dëshirë të mi jepni dy minuta kohë për të lexuar diçka për biografinë time”, tha Gucati.
Kur u pyet për ta konfirmuar deklarimin e tij rreth fajësisë për akuzat e paraqitura, Gucati pohoi për ta konfirmuar deklarimin e tij si i pafajshëm në paraqitjen e parë të tij para kësaj gjykate.
“I pafajshëm jam plotësisht”, tha edhe nënkryetari i OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj.
Paraprakisht, ai tha se s’mund t’i kuptojë akuzat kundër tij.
“Unë as nuk mund ta kuptoj, por atë që e lexuat e kuptova”, u shpreh Haradinaj.
Kryetari i trupit gjykues më pas i njoftoi Gucatin dhe Haradinajn lidhur me të drejtat e tyre gjatë procesit gjyqësor, si dhe i paralajmëroi se mund të përjashtohen nga gjykimi në rast se nuk sillen mirë.
“Nëse ju nuk silleni mirë pas një paralajmërimi të dhënë, një sjellje e tij mund të rezultojë me largimin tuaj nga salla. Nëse kjo ndodhë, atëherë ju do të përfaqësoheni nga avokatët”, tha kryetari i trupit gjykues.
Në fund të shtatorit të vitit të kaluar, dy ish-krerët e OVL-së së UÇK-së, kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj u arrestuan me urdhër të Gjykatës Speciale. Ata akuzohen për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Comments are closed for this post.