Zyrtarisht ka dhënë dorëheqjen si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë në Shqipëri, Ardi Veliu, disa ditë para përfundimit të ultimatumit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama i cili i dha 100 ditë kohë për të rivënë rregull. I emëruar në këtë detyrë më 5 Shkurt 2018, Veliu u propozua nga ish ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Gjatë këtyre 3 viteve në krye të policisë shqiptare ai është përballur me shumë akuza. Një ngjarje që shkaktoi debat të madh në publik ishte nxjerrja e videos me armë të Zaida Çobos nënës së 15 vjeçarit që u rrah nga policia pse theu karantinën. Ish Drejtori i Përgjithshëm i Policisë sulmoi në një seancë online nënën e djalit të dhunuar nga oficerët duke sugjeruar se fëmija i dhunuar vjen nga një familje me moral të keq dhe e përdori këtë argument për të justifikuar dhunën. Sulmi verbal i Veliut u konsiderua si kërcënim nga Zaida Çobo, ndërsa aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë të ndryshëm e cilësuan si skandaloze sjelljen e kryepolicit në parlament.

Në përgjigje të akuzave, ku kërkuan shkarkimin e tij, Veliu tha se nuk shprehu siç duhet atë që kishte qëllim të thoshte, megjithatë sipas tij, puna që ai bën flet më shumë se fjalët që thotë. Ndërsa kërkoi ndjesë për veprimin Veliu theksoi se kjo deklaratë e tij nuk duhet të përdoret me qëllim përbaltjen e punës së gjithë uniformave blu, siç demokratët bënë në deklaratën e fundit.

Dorëheqja e Ardi Velit është kërkuar edhe pas vrasjes së Klodian Rashës nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj dhe pas vrasjes së efektivit Saimir Hoxha në Lezhë nga 21 vjeçari Aldi Rama. Veliu është akuzuar për gjendjen e policisë së shtetit dhe mungesën e organizmit në tërësi. Ka qenë PD ajo që e ka paditur në SPAK Veliun, pasi sipas saj ka urdhëruar dhunën kundër protestuesve, përgjatë 5 protestave të organizuara pas vrasjes së Klodjan Rashës nga efektivi i policisë. Në padinë e dorëzuar në SPAK, Partia Demokratike kërkon pezullimin e tij deri në përfundim të hetimeve, ndërsa pretendonte se Ardi Veliu ka kryer 5 vepra penale:

“Shpërdorim i detyrës; Kryerja e veprimeve arbitrare; Pengimi në të drejtën për t’u shprehur, grumbulluar dhe manifestuar; Dëmtime të tjera me dashje; Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, thuhej në padinë e PD.

Sipas PD protestat ishin paqësore, por është vënë re përdorimi i tepruar i dhunës policore dhe përdorimi në sasi shumë të madhe i gazit lotsjellës. Më herët edhe LSI ka vendosur të padisë në Prokurori për shpifje dhe dezinformim eksponentë të mazhorancës, të cilët e akuzuan se ka nxitur pjesëmarrjen e të rinjve në protestë. Policia e shtetit është vënë nën akuza të përsëritura për dhunim të qytetarëve gjatë protestave. Pikëpyetje janë ngritur shpesh nga aktivistë dhe subjekte publike mbi funksionimin e logjikës formale të Veliu, i cili përmes deklaratave të tij nënkuptonte se policia mund të jetë e justifikuar të dhunojë një fëmijë nëse ai vjen nga një familje ku e ëma luan me një pistoletë në video. Në këtë rast Veliu u akuzua sikur ka marrë përsipër të gërmojë në jetën private të të ëmës së një qytetari të dhunuar me synimin final për të justifikuar në ndonjë farë mënyre policët dhunues. Ngjarja që mund të ketë vulosur “fatin” e Veliut është edhe vrasja e nëkomisarit Saimir Hoxha, i shpallur Dëshmor i Atdheut, pasi u vra gjatë një aksioni anti kanabis nga i riu Aldi Rama.