Policia e Kosovës njofton se një menaxhere e një banke komerciale në Fushë Kosovë ka njoftuar se në bankomatin e tyre janë deponuar mbi 730 monedha metalike prej dy euro, në vlerë gati 1.500 euro, që dyshohen të jenë të falsifikuara.

Sipas policisë paratë e dyshuara janë konfiskuar, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.

“Rr. Nëna Terezë, Fushë Kosovë 15.02.2024. Ankuesja femër kosovare, menaxhere e bankës ka njoftuar se në bankomatin e tyre janë deponuar rreth 732 monedha metalike prej 2€, në vlerë rreth 1.464 € të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara. Paratë e dyshuara janë konfiskuar, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet”, thuhet në raport.

Beteja e shtetit të Kosovës me monedhat e falsifikuara vazhdon që nga muaji nëntor i vitit të kaluar.

Policia e Kosovës ka goditur një grup që dyshohet se merrej me prodhimin dhe futjen në treg të parave të falsifikuara. Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar më 29 nëntor se ka arrestuar gjashtë persona, prej të cilëve tre shtetas nga Kosova dhe tre nga Maqedonia, të cilët dyshohen se fusnin në treg monedha 2 euro të falsifikuara.