Një grua në Australi ka rënë nga një shkëmb ndërsa po tentonte të bënte një foto selfie.

38-vjeçarja Rossie Lomba kishte shkuar në parkun nacional Grampians në Victoria të Australisë bashkë me djalin e saj, ku edhe ndodhi incidenti.

Policia australiane thotë se Rossie kishte kaluar rrethojën mbrojtëse duke injoruar shenjat paralajmëruese, ku si rezultat i këtij veprimi ra nga shkëmbi mbi 80 metra i lartë.

Dëshmitarët thonë se kanë dëgjuar britmat e saj, por se nuk kanë mundur ta ndihmojnë. Policia e ka nxjerrë trupin e saj të pajetë pas më shumë se gjashtë orëve përpjekje.

Ciceroni i turistëve Graham Wood, ka thënë se kishte paralajmëruar vizitorët vetëm gjysmë ore më herët që të mos injorojnë shenjat paralajmëruese.

Parku Grampians është një destinacion turistik shumë i pëlqyer dhe mijëra foto në Instagram, që postohen nga përdoruesit janë shkrepur pikërisht atje.