Mbulimi shëndetësor universal është qëllimi kryesor për reformat shëndetësore në vendin tonë, tha ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në fjalimin e tij në Samitin për mbulimin shëndetësor universal në Asamblenë e 74-të të përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork.

Filipçe, siç kumtoi pres shërbimi qeveritar, tha se ky qëllim del nga vizioni i përbashkët i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të Ministrisë së Shëndetësisë, për shëndet dhe mirëqenie për të gjithë dhe gjithkund, ndaj të cilave janë orientuar edhe reformat shëndetësore në vend.

“Qëllimi i përbashkët është që të ndërtohet mbrojtje e qasshme, cilësore dhe e qëndrueshme në afat të gjatë shëndetësor me qytetarët në qendrën për sistem shëndetësor, e po ashtu të përforcohet ndjeshmëria dhe përgjegjësia e individit për shëndetin e vet dhe shëndetin e të tjerëve. Vendosja e këtij problemi si prioritet siguron se të gjithë njerëzit kanë qasje deri te shërbimet shëndetësore me cilësi të mjaftueshme, e kjo do të luajë rol të madh në zvogëlimin e pabarazive shëndetësore në Maqedoninë e Veriut”, tha ministri i Shëndetësisë Filipçe në fjalimin e tij në Samitin për mbulim shëndetësor universal të Asamblesë së përgjithshme të KB-së.

Filipçe, siç thuhet, informoi se Maqedonia e Veriut është mes vendeve të para në nivel global që e shqyrton angazhimin e saj për mbrojtje primare shëndetësore në pajtim me Deklaratën e Astanas dhe se vendi e vazhdoi këtë proces gjatë forumit të parë kombëtar për mbrojtje shëndetësore, që u mbajt më 13 shkurt të vitit 2019.

Ministri Filipçe i njoftoi të pranishmit në Samit për mbulimin shëndetësor universal për vizionin e ri të vendit për mbrojtje primare shëndetësore si prioritet kyç kombëtar të orientuar drejt përmirësimit të performansave  të përgjithshme të sistemit shëndetësor dhe theksoi se vendi e përshpejton implementimin e tij.

“Harmonizimi i mbrojtjes primare shëndetësore me këtë vizion do ta rrisë kapacitetin e saj për reagim dhe do të sigurojë qëndrueshmëri të sistemit shëndetësor, pengimin dhe zvogëlimin e barës së sëmundjeve joinfektuese dhe përmirësimi i shëndetit dhe mirëqenies së popullatës në Maqedoninë e Veriut”, tha në fjalimin e tij ministri Filipçe.

Ai potencoi se vazhdon bashkëpunimi multisektor dhe janë të përqëndruar që të sigurojnë sistem të qasshëm dhe me cilësi të lartë të orientuar drejt qytetarëve.