Kapitali rus apo ukrainas nuk është mbizotërues në asnjë bankë të Maqedonisë së Veriut, ashtu që nga ky aspekt nuk ka asnjë ekspozim mbi qëndrueshmërinë e sistemit bankar vendas, bëjnë të ditur nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut.

Pas invazionit rus në Ukrainë, Bashkimi Evropian përjashtoi shtatë banka ruse nga sistemi i mesazheve SWIFT.

Por, nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut theksojnë se sistemi financiar është i qëndrueshëm dhe të gjitha shërbimet financiare do të vazhdojnë të kryhen pa pasur implikime nga lufta në Ukrainë.

“Deri më tani nuk ka ndikime të drejtpërdrejta në sektorin financiar vendas dhe as nuk priten, kjo për shkak të lidhjeve të dobëta financiare që ka Maqedonia e Veriut me Rusinë dhe Ukrainën (detyrimet financiare dhe kërkesat financiare ndaj këtyre dy vendeve janë më pak se 1% e totalit të mjeteve dhe detyrimeve financiare), dhe për këtë arsye nuk ekziston rrezik i drejtpërdrejtë për këtë segment”, theksohet në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut.

Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

Ish-guvernatori i Bankës Popullore, Lube Trpeski, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekonomia e Maqedonisë së Veriut do t’i ndiejë pasojat si rrjedhojë e luftës në Ukrainë – mbase pak më vonë porse gjithsesi do të reflektohen dhe në sistemin bankar.

“Është normale që ajo që po ndodh në Ukrainë të ketë pasoja në ekonominë e vendit, gjë që është e pamundur që këto pasoja të bien mbi kurriz të ekonomisë e të mos reflektohen edhe në sistemin bankar. Pra, pasojat do të ndihen (në sistemin bankar) në mënyrë indirekte ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë”.

“Pasi që ekonomia e Maqedonisë Veriut është e varur nga ekonomia e Gjermanisë – shtet ky që duket se pas Rusisë dhe Ukrainës do të jetë më i godituri në aspektin ekonomik – në këtë mënyrë është e pashmangshme që të mos goditet edhe vendi ynë në mënyrë indirekte”, vlerëson Trpeski.

Kriza nuk kërcënon likuiditetin e bankave të Maqedonisë së V.

Nga Banka Popullore megjithatë theksojnë se kriza e luftës në Ukrainë nuk rrezikon likuiditetin e bankave, pasi, siç thonë, rezistenca e bankave në Maqedoninë e Veriut ndaj krizës është më se solide.

Banka Popullore, gjithashtu, ka bërë të ditur se rezervat në deviza janë në një zonë të sigurt dhe sigurojnë likuiditet të mjaftueshëm devizor në ekonominë vendase dhe qëndrueshmëri të valutës vendase.

“Likuiditeti është në një nivel solid. Edhe gjatë krizës së pandemisë kreditë me probleme nuk shënuan fare rritje, përkundrazi, ato u ulën gradualisht, mesatarisht dhe tani arrijnë në rreth 3.3 për qind të totalit të kredive. Gjithashtu, siç e kemi theksuar edhe më parë, nuk kemi banka ruse dhe ukrainase në vend, që është një avantazh i rëndësishëm në këto rrethana, duke pasur parasysh sfidat, me të cilat përballen disa nga vendet fqinje, ku bankat ruse ishin të pranishme”, theksojnë nga Banka Popullore për Radion Evropa e Lirë.

Ish-guvernatori Lube Trpeski thotë se bankat në Maqedoninë e Veriut kanë shkallë të lartë të koeficientit të aktiviteti të kapitalit, kështu që ka gjasa që kriza të prekë likuiditetin e tyre.

“Nuk duhet të jemi të shqetësuar për shëndetin e sistemit bankar. Nëse kjo krizë vazhdon për kohë më të gjatë, ndonëse mund të rriten kreditë jofunksionale të njohura si kredi të këqija, por për shkak të shkallës së lartë të koeficientit adekuat të kapitalit, kjo nuk do të ketë implikime të mëdha as në likuiditetin e as në profitin e bankave”, thekson Trpeski.