Për Frontin Evropian është e papranueshme që koalicioni që ka fituar një numër më të vogël të mandateve të bëhet pjesë e qeverisë, tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në konferencën e sotme për media.

“Marrëveshja e Ohrit nuk lexohet njësoj nga të gjithë figurat politike apo publike, ne nuk lejojmë që kjo marrëveshje të shkelet. Njerëzit na pyesin pse votojmë kur dikush tjetër vendos për vullnetin dhe përcaktimet tona… qytetarët na pyesin se çfarë kuptimi ka demokracia kur nuk respektohet legjitimiteti, kur vendos partia më e madhe maqedonase. Kjo na kthen dy dekada pas kur nuk respektohej vullneti i lirë i komuniteteve. Legjitimiteti është shtylla e demokracisë, prandaj po e nisim betejën për respektimin e Marrëveshjes së Ohrit. Kur respektohet fryma e Marrëveshjes së Ohrit, shoqëria përparon, por kur nuk respektohet, kthehemi në kohët tjera që i kemi lënë kolektivisht”, tha Ahmeti.

Edhe pse paraprakisht kishte paralajmëruar, Ahmeti ende nuk ka zbuluar hapat e radhës në frontin evropian dhe shkurt ka thënë se opinioni do të informohet me kohë.