Presidenti iranian Ebrahim Raisi ka dënuar sulmin shkatërrues në Spitalin Baptist Al-Ahli në Gaza, duke paralajmëruar se flakët e spitalit së shpejti do ta kaplojnë Izraelin, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të postuar në rrjetet sociale mbrëmë vonë, Raisi tha se “flakët e bombave amerikano-izraelite” të hedhura në spitalin e Gazës “do të kaplojnë së shpejti sionistët”.

“Heshtja e asnjë personi të lirë nuk është e lejueshme përballë këtij krimi lufte”, ka theksuar ai, duke e shpallur të mërkurën si “ditë zie publike” në mbarë vendin.

Më shumë se 500 njerëz u vranë në sulmin ajror izraelit në Spitalin Baptist Al-Ahli mbrëmë, tha zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Ashraf al-Qudra për Anadolu.

Pamjet në mediat sociale treguan kufoma të shpërndara nëpër mjediset e spitalit.

Sulmi ajror erdhi në ditën e 11-të të konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit, teksa një grup në rritje i organizatave joqeveritare dhe liderëve botërorë thonë se fushata e bombardimeve izraelite në enklavën e rrethuar, duke përfshirë objektet e kujdesit shëndetësor, shtëpitë dhe vendet e adhurimit, shkel të drejtën ndërkombëtare dhe mund të përbëjë krim lufte.

Më herët, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanaani, gjithashtu dënoi sulmin ndaj spitalit, duke e përshkruar atë si një “krim brutal lufte” dhe “gjenocid”.

“Regjimi sionist, në vazhdimësi të krimeve të turpshme kundër popullit palestinez, duke kryer këtë krim të urryer dhe të tmerrshëm, ka treguar edhe një herë egërsinë dhe brutalitetin e tij ndaj të gjithëve”, tha ai.

Ndërkohë, mbrëmë mijëra njerëz u mblodhën në sheshin qendror të Teheranit, të quajtur Palestinë, në mbështetje të popullit të Palestinës dhe për të dënuar sulmin në spitalin e Gazës.