Një numër i shteteve – nga SHBA-ja e Britania e Madhe e deri te Franca dhe Japonia – kanë pësuar humbje të shpendëve në shifra rekorde shkaku i përhapjes së gripit të shpezëve gjatë vitit të fundit.
Kjo sëmundje, për të cilën ekspertët thonë se po përhapet përmes zogjve shtegtarë, është përhapur për herë të parë edhe në vende të Amerikës Jugore, si Ekuadori, Peruja dhe Bolivia.
Rreziku për njerëzit është i vogël, sipas Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtorit të përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH). Si masë paraprake, njerëzit këshillohen të mos i prekin kafshët e egra të sëmura ose të ngordhura.
Sipas të dhënave të OBSH-së, nga janari i vitit 2003 e deri më 25 nëntor të vitit 2022, 868 njerëz nga 21 shtete të botës kanë raportuar për infektim me gripin e shpezëve H5N1, lloji i virusit që po përhapet përreth globit. Nga këto, 457 raste apo 53 për qind kanë përfunduar me fatalitet.
Në janar, OBSH-ja raportoi për herë të parë për infektimin e një personi me virusin H5N1 në zonën e Amerikës Latine dhe Karaibet. Një vajzë nëntëvjeçare nga Ekuadori ishte infektuar pas një kontakti me shpezë shtëpiake. Ajo ishte shtrirë në spital më 18 janar, sipas agjencisë botërore.
Rastet e infektimit të njerëzve me këtë virus janë zakonisht si rezultat i ekspozimit ndaj shpezëve të infektuara – të vdekura ose të gjalla – dhe mjediseve të kontaminuara, thanë nga OBSH-ja.
Që nga tetori i vitit 2020 janë vrarë shpendë në të paktën në 60 shtete si pjesë e masave të ndërmarra shkaku i përhapjes së këtij virusi, sipas të dhënave të ofruara për Reutersin nga Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve. Në mesin e këtyre shteteve raportohet se janë India, Tajvani, Nepali, Peruja, Republika Çeke, Rumania dhe Nigeri.
Comments are closed for this post.