Për një vit, produktet dhe shërbimet bazë që i nevojiten një familje prej katër anëtarësh janë shtrenjtuar për 17 mijë denarë. Këtë e vërteton edhe llogaritja e fundit e shportës së konsumit sindikal, e cila kushton 51.500 denarë, në krahasim me shpenzimet në tetor të vitit të kaluar, kur peshonte 34.500 denarë.

Dallimi më i madh në shpenzimet e amvisërive është te ushqimi, nëse vitin e kaluar në tetor nevojiteshin 14.800 denarë, tani për ushqim dhe pije joalkoolike nevojiten afro 19.500 denarë. Të dhënat e Lidhjes së Sindikatave tregojnë edhe se këtë vit për transport publik nevojiten 1000 denarë plus. Shpenzimet për mirëmbajtjen e higjienës janë rritur për 500 denarë. Sindikalistët theksojnë se kjo përllogaritje është më e rëndësishme për familjet që nuk kanë makinë personale dhe janë pa kredi banesore.

“Rritja e produkteve dhe çmimeve, por edhe inflacioni nuk e përcjell rritjen e pagave. Gjithnjë e më shumë njerëz po varfërohen. Besoni se me një pagë të papaguar mijëra punëtorë hyjnë sërish nën pragun e varfërisë, dhe jetojnë me nga 40 deri në 100 denarë në ditë. Është një e vërtet mizore. Këtu nuk po flasim për raste sociale, por për punonjës në shtet, të cilët shkojnë çdo ditë në punë nga tetë deri në katër”, tha Ivan Peshevski – LSM.

Autoritetet një ditë më parë njoftuan se çmimet e disa bukëve janë ulur dhe shiten me çmim prej 30 denarë. Në dy javët e ardhshme duhet të ulen edhe çmimet e qumështit dhe produkteve të mishit, duke pasur parasysh faktin se e gjithë industria ushqimore do të përdorë çmimin e subvencionuar të energjisë elektrike prej 80 euro për megavat orë. Kusht që sektori ushqimor të përfitonte një avantazh të tillë ishte që të binte dakord për uljen e çmimeve të produkteve finale për qytetarët. Të dhënat e fundit zyrtare thonë se inflacioni në vend ka arritur nivelin 19.8 për qind dhe është më i larti nga vendet e rajonit./Alsat.mk