Ju jeni profesor i së drejtës romake dhe këtu na mbani leksion për të drejtën kushtetuese. Ju duhet t’i mësoni studentët si të bëjnë dallimin, kështu i është përgjigjur kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, deputetit dhe liderit të së “Majtës”, Dimitar Apasiev, pasi akuzohet se nuk ka të drejtë të jetë në kryesinë e BDI-së, sepse Kushtetuta ia ndalon.

Kryeparlamentari ka sqaruar se “Talat Xhaferi nuk ka asnjë problem kushtetues apo pengesë për të qenë anëtar i organeve të partisë sepse Xhaferi ka qenë anëtar i kryesisë së BDI-së që nga themelimi i BDI-së”.

“Xhaferi nuk mban postin e partisë si kryetar, nënkryetar apo sekretar i përgjithshëm. Nuk keni të drejtë të vendosni këtu”, i është përgjigjur Xhaferi, Apasievit.

Deputeti i së “Majtës” i kërkoi kryetarit të Kuvendit të japë dorëheqje nga posti partiak ose do të paraqitet raport në Komisionin për Antikorrupsion.

Në nenin 67 të Kushtetutës thuhet: “Funksioni i Kryetarit të Kuvendit është i papajtueshëm me kryerjen e një funksioni, profesioni apo funksioni tjetër publik në një parti politike”.

Njoftimi për shqyrtimin e pjesëmarrjes së kryeparlamentarit në kryesinë e BDI-së vjen pas mbledhjes së të shtunës të Këshillit Qendror të partisë, të cilën Xhaferi u largua para kohe pasi shprehu rezerva për disa vendime kadrovike dhe se propozimet e tij për anëtarë në organet udhëheqëse të partisë nuk u pranuar.