Prokuroria dhe policia në Gostivar po punojnë për zbardhjen e vrasjes së 28 vjeçarit të shtunën rreth orës 19 e 30 minuta në rrugën Goce Dellçev. Sipas informatave deri më tani jo zyrtare, të siguruara nga policia dhe prokuroria, ka dyshime për vetëvrasje, pasi në afërsi të trupit të pajetë është gjetur arma nga e cila është shkrepur plumbi. Sipas ekspertëve shkrepje nga afërsia le hapësirë për dyshime që vrasje të jetë bërë nga vetë viktima, por këtë duhet ta vëretojnë hetimet e organeve të ndekjes.

“Prokurori kujdestar i Prokurorisë themelore të Gostivarit, mbrëmë ka kryer hetime në vendin e ngjarjes, në afërsi të shtëpisë në rrugën “Goce Dellçev” në Gostivar, ku është gjetur trupi i pajetë i një personi 28 vjeçar me plagë hyrëse dhe dalëse në kokë. I ndjeri ishte dërguar në spital nga i ati i tij ku edhe është konstatuar vdekja. Ndaj trupit të pajetë do të behet autopsi. Gjatë hetimit në vendin e ngjarjes, është gjetur arma dhe është marrë për analizë të mëtejme. Me urdhër të prokurorit publik, janë siguruar edhe video materiale nga kamerat e objekteve për rreth”, thonë nga prokuroria.

Sipas një dëshmitari që nuk deshi të prononcohet para kamerës, e që jetonte në afërsi të shtëpisë së viktimës, rastin në fillim e ka vërejtur e ëma e viktimës, ndërsa më vonë, prindi i tij bashkë me disa fqinjë, e kanë dërguar 28 vjeçarin në spitalin e Gostivarit, por për fat të keq nuk ka arritur të iu mbijetojë plagës. Fqinjët që jetonin në afërsi të shtëpisë së viktimës, thonë se personi në fjalë se ka qenë shumë i dashur dhe i mirë me rrethin, andaj shprehen të trishtuar për vdekjen e tij.

Banorët shprehen të trishtuar duke u lutur që ky rast të jetë i fundit dhe të mos ndodhin raste të këtilla më. Ata thonë se nuk kanë dëgjuar fjalë të këqija apo zënka para ndodhjes së rastit”.

“S`di çka të them, gjynah aq mund të them gjynah. Tash sa e morëm vesh s`di çka të them”, tha një banor.

“Gjynah, djalë i ri të vritet. S`di si të them. S`është mirë kjo. Vrasje e një të riut s`është mirë se nuk kthehet sërish më ai”, tha një tjetër banor.