“Përpjekjet e institucioneve të sistemit kanë për qëllim zgjidhjen e zbrazëtirave në zhvillimin e kapitalit njerëzor që fillojnë herët dhe zgjerohen me kalimin e kohës, që nënkupton trajtim dhe investim të barabartë në të gjitha segmentet dhe nivelet e sistemit arsimor – nga arsimi parashkollor, fillor, arsimi i mesëm deri në arsimin e lartë”.

Kështu deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri në fjalimin e tij në ditën e dytë të konferencës kushtuar temës “Marrëdhënia mes mirëqenies së fëmijëve dhe arritjet e tyre”, që mbahet në Shkup, si iniciativë e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ambasadës së Britanike në Shkup dhe UNICEF.

“Rëndësia e edukimit parashkollor konfirmohet edhe nga rekomandimet e studimit ndërkombëtar TIMSS, i cili thotë se nevojitet një përfshirje më e madhe e fëmijëve në institucionet parashkollore, sepse koha e kaluar aty ka ndikim të madh në arritjet e mëvonshme arsimore të nxënësve. Ndërsa testimi PISA na ofron të dhëna të vlefshme që ndihmojnë në identifikimin dhe adresimin e zbrazëtirave ekzistuese në arsimin fillor dhe të mesëm të fëmijëve dhe Koncepti i ri për arsimin fillor është ndërtuar mbi treguesit e marrë nga ky testim ”, theksoi Shaqiri.

Ministri theksoi se në përputhje me Konceptin, ka filluar futja në faza e programeve mësimore tërësisht të reja në të gjitha lëndët që do të mundësojnë zëvendësimin e të mësuarit faktik me të mësuarit me kuptim, më tepër interakcion gjatë mësimdhënies mes nxënësit dhe mësimdhënësit dhe aplikimin e mjeteve të reja digjitale me të cilët siç u shpreh ai, i gjithë procesi i edukimit thjeshtohet, megjithatë bëhet më efektiv.

“Në këtë drejtim, tekstet shkollore të reja për klasën e katërt, zbatimi i të cilëve ka filluar në vitin vijues shkollor, janë të arritshme edhe në formë elektronike ndërsa gjithashtu do të digjitalizohen tekstet e reja për të gjitha klasat e tjera që do të përgatiten me faza. Janë furnizuar tabela smart për shkollat në të cilat mungonin”, u shpreh Shaqiri.